Lagja ‘Dardania’ në Tetovë të hënën paralajmëroi protestë para objektit të komunës për të kundërshtuar mos reagimin e komunës në lidhje me krijimin e deponisë së egër dhe djegien e mbeturinave në mbrëmie, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Protesta do të fillojë nga ora 12 para objektit të Komunës së Tetovës dhe është mbështetur nga Eco Guerilla, Lëvizja Besa dhe LR-PDSH.
Protesta mba titullin “Largo deponinë nga qyteti!”.
Telegrafi Maqedoni gjithashtu do të jetë para Komunës së Tetovës për të ju sjellë informacionet, fotografitë dhe videot nga protesta. /Telegrafi/
12:05 Protestuesit sapo kanë filluar të mblidhen para Komunës së Tetovës. Nëpër rrugë të Tetovës janë të ngjitura disa fleta me këto moto. Ata poashtu kanë vendosur mbeturina në hyrje të Komunës si shenjë revolte për mungesë të menaxhimit jo efikas për deponinë në Tetovë. Fotografitë i keni në vijim.
12:14 Poashtu para Komunës është duke u mbajtur edhe një fjalim nga Këshilli organizativ kundër deponisë. “Kemi kërkuar që të largohen këto mbeturina tek dera e shtëpisë sonë. Kjo kryetare, kjo komunë dhe ky pushtet do të na mbyt. Jemi këtu që ta përkujtojmë kryetaren se Tetova nuk u bë qytet evropian siç ajo premtoi”, thonë nga Këshilli organizativ.
12:19 Banorët e Lagjes Dardania nuk e kanë ndërmend që të dorëzohen nga kjo nismë derisa të rregullohet kjo çështje. ‘Protestat do të vazhdojnë deri sa të ketë zgjidhje’, thanë banorët e lagjes ‘Dardania’.
12:23 Ashtu edhe siç u paralajmërua për mbështetje të protestës nga Eco Guerilla, kryetari Arianit Xhaferi ka pasur fjalim rasti në lidhje me këtë çështje. “Eco Guerilla i përkrahë protestat e sotme për të ngritur zërin. Nuk duam diçka të veçantë, e përkujtojmë kryetaren se premtoi zgjidhje. Me premtimet tona mori votat tona”, tha Arianit Xhaferi nga EcoGuerilla.
12:29 Protesta përfundoi e qetë, kurse protestuesit premtuan protesta të reja në javët në vazhdim.