Site icon Telegrafi

Protesta e studentëve në Shqipëri në fokusin e mediave ndërkombëtare

Protestat studentore në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen më së shumti të “Washington Post”, i cili i ka bërë një mbulim më të plotë situatës, duke e ndjekur për disa ditë rresht.

“Studentët kërcënojnë ta përshkallëzojnë aksionin e tyre, nëse kërkesat nuk iu plotësohen”, shkruhet në artikullin e tij marrë nga “Associated Press”.

Indinjata ndaj kostos së tarifave të studimit e këmbëngulja për përmirësimin e kushteve të të mësuarit e të jetesës i kanë shtyrë të rinjtë drejt grumbullimit, në atë që përshkruhet si protesta spontane, paqësore, civile më e gjatë e viteve të fundit në Shqipëri, që nuk drejtohet nga partitë politike fondacione apo shoqata.

“Rama fajëson opozitën, – thuhet në shkrimin e “Washington Post”, – për nxitjen e studentëve që të mos pranojnë dialogun”, ndërsa opozita, ndonëse nuk është e lidhur hapur me protestën, e ka promovuar atë.

“Deutsche Welle” evidenton detajin e grevës së urisë, për të cilin thotë se është shtyrë si mjet ekstrem për më vonë. Në vend të saj, përshkallëzimi, gjithmonë paqësor, po bëhet duke kaluar natën jashtë përpara ndërtesës së Kryeministrisë, e kjo në kushtet e një të ftohti të thellë.

Theksohet se kryeministri Rama vazhdon me këmbëngulje, përmes medies sociale, t’i ftojë të bisedojnë dhe dialogojnë, por studentët e kanë refuzuar deri tani ftesën e tij, me të njëjtën këmbëngulje.

Vëmendja tërhiqet edhe te fakti që të rinjtë nuk duan ndërhyrje të politikës. Pakënaqësia nga arsimi i lartë citohet si një nga shkaqet kryesore të largimit masiv të rinisë nga Shqipëria.

“Deutsche Welle” e përmbledh me këto fjalë shkëndijën që solli shpërthimin e revoltës studentore: një kombinim i korrupsionit, nepotizmit, mungesës së meritokracisë, prioritetit të përkatësive partiake dhe jo profesionalizmit në stafet pedagogjike, me neglizhencën e qeverive për të ndryshuar situatën. /Telegrafi/

Exit mobile version