Site icon Telegrafi

Protesta e opozitës, Berisha: Do të përdoren të gjitha metodat e mosbindjes civile

Duke folur për protestën e thirrur nga opozita ditën e nesërme, Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se populli opozitar do përdorë të gjitha metodat e mosbindjes civile.

Në një komunikim me gazetarët, Berisha tha se opozita nuk mund të pajtohet me “shpërbërjen e kombit shqiptar”.

“Ju kam deklaruar se opozita është në protestë, populli opozitar është në protestë kundër kësaj qeverie. Populli opozitar do përdorë të gjitha metodat e mosbindjes civile dhe do shpallë moton e tij nesër në protestë. Sepse ne nuk mund të pajtohemi kurrë me shpërbërjën e kombit shqiptar nga konfiskimi i lirive të shqiptarëve nga një qeveri e lidhur kryekëput me krimin, drogën, vjedhjen dhe mashtrimin”, tha Berisha.

“Ne e kemi shumë seriozisht këtë betejë”, shtoi kreu demokrat.

Në lidhje me kohëzgjatjen e protestës, Berisha tha: “Policia në interesin e saj më të mirë, të mos bëhet mercenare e Edi Ramës. Këtë i them policisë unë. Ka Kushtetutë, protestuesit janë fuqia absolute morale e vendit. Mjerë ai që i prek. Protesta do të zgjasë sa të dojë populli shqiptar. Sa t’i teket popullit opozitar. Ai është nesër sovrani i Shqipërisë”.  /Telegrafi/

 

Exit mobile version