Telegrafi

Propozoi Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE, presidentja Osmani e falënderon presidentin kroat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar presidentin kroat Zoran Milanoviq, për propozimin e tij që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësin në Bashkimin Evropian.

Osmani, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Kroacia mbetet vend kampion në përkushtimin e saj për anëtarësimin e Kosovës në BE.

“Faleminderit President Milanoviq për propozimin tuaj për t’i dhënë statusin e vendit kandidat. Kroacia mbetet një kampion i përkushtuar për anëtarësimin tonë në BE.

Ne jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha vendet anëtare dhe institucionet e BE-së për të përshpejtuar zbatimin e reformave në rrugën tonë të anëtarësimit”, ka shkruar Osmani, transmeton Telegrafi.

Presidenti kroat, Zoran Milanoviq ka mbështetur kandidaturën e Ukrainës për në Bashkimin Evropian, por propozoi edhe statusin e kandidatit për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën si dhe fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Lexo po ashtu Presidenti kroat, Millanoviq: Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për pranim në BE

Milanoviq deklaroi se duhet bërë gjithçka për të parandaluar përhapjen e krizës në Ballkanin Perëndimor dhe të shmanget çdo kërcënim i mundshëm jo vetëm për vendet tona fqinje, por edhe për Republikën e Kroacisë.

Ndryshe, Milanoviq ditë më parë kishte pohuar se Beogradi është dobët për ta sulmuar Kosovën, mbi të gjitha “Me çka do ta sulmojë? Me armë prej ujit”. /Telegrafi/