Nga: Fadil Kajtazi
Në arkivin e Kosovës, në fondin “Sadulla Brestovci”, kutia numër 10, ndodhët dokumenti me të cilin Sadulla Btestovci konkurron në konkursin për emërtimin e hotelit të ri të Gjilanit (sot hoteli Kristal”). Dokumenti mban datën 12.06.1966.
Shkaku pse ky dokument më duket i veçantë, është koha dhe rrethanat kur është hartuar që reflektojnë guximin intelektual të Sadullah Brestovcit, atdhedashurinë dhe vizionin për aspiratat kombëtare.
Dokumenti i drejtohet “Ndërmarrjes Turistike Kosova – Komisionit për vendosjen e emrit – firmës hotelit të ri në Gjilan”.
Në preambulë, profesor S. Brestovci propozon: Duke marr pjesë në konkursin tuaj, të shpallur para 7-8 ditësh, dhe në lidhje me përcaktimin e emrit, gjegjësisht firmës të hotelit të ri, propozoj të përcaktohet, gjegjësisht të vendoset emri më atraktiv, më i pranueshëm dhe më i lehti dhe më interesanti DARDANIA. Konsideroj që ky emër historik është më se i qëlluar për hotelin tonë të shumëpritur i cili së shpejti do të hapet”.
Ndoshta një propozim si ky për kohën që po jetojmë na duket shumë i thjeshtë, por kur kemi parasysh vitin 1966, i cili përkon me grahmat e fundit të asaj që njihet në popull si “Koha e Rankoviqit”, ky dokument pasqyron personalitetin e asaj që në të vërtetë ka qenë profesor Sadullah Brestovci: rrjedh nga një familje me traditë kombëtare, intelektual i guximshëm, shkencëtar i mirëfilltë dhe atdhetar i paepur.
Në arsyetim të propozimit, në vazhdim profesor Brestovci paraqet të dhëna historike: Emri Dardani, pos tjerash, nënkupton regjionin të cilin e kanë banuar dardanët, fis i vjetër ilir. Ilirët janë paraardhësit e shqiptarëve dhe bëjnë pjesë në banorët më të lashtë të Siujdhesës Ballkanike … Ilirët, gjithashtu janë grupimi etnik në të cilin bëjnë pjesë edhe dardanët dhe janë banorë të Ballkanit që në lashtësi, ku më së shumti në vendin tonë. Domethënë, ilirët kanë populluar gati të gjithë territorin e vendit tonë socialist (RSFJ) ku janë shtrirë deri në Republikën e sotme të Maqedonisë, në pjesën lindore të Republikës së Serbisë, dhe në pjesën verilindore të Italisë së sotme, pjesën jugore të Austrisë së sotme dhe në Shqipërinë e sotme”.
Po e theksojmë edhe një pjese te arsyetimit te propozimit: Vet emri zgjon ose nxit interes dhe lë të kuptohet për lajme nga e kaluar e largët e historisë kulturore të vendeve tona. Emri është shumë i lehtë për t’u shqiptuar dhe shkruar (latinisht), jo vetëm në tri gjuhët e Kosovës, por pothuajse në të gjithë gjuhet evropiane. Kjo e fundit vlen të theksohet veçanërisht për shkak të mundësisë reale që qyteti ynë të bëhet një vend i vogël turistik në të ardhmen e afërt.
Duke dokumentuar autoktoninë e shqiptarëve në këtë territor, nga gjenealogjia ilire-dardane, jo pa qëllim, profesor Brestovci fut edhe një të dhënë: Më vonë, në shekujt V dhe VII, në Ballkan në përgjithësi fillojnë të dynden sllavët – paraardhësit e serbëve të sotëm, kroatëve, sllovenëve, malazezëve, maqedonaseve dhe bullgarëve …
Është normale, në dokument është përdorur edhe terminologjia klishe e kohës, e cila ka qenë pjesë e sistemit politik, por profesor Brestovci atë e ka përdorur me kujdes dhe në funksion të qëllimit. Shifra me të cilën profesori e ka koduar dokumentin me rastin e konkurrimit “Rojtari i traditës pozitive …”, e zbërthen më së miri karakterin dhe qëllimin e propozimit të emrit “DARDANIA”. Dhe qëllimi nuk ka se si të jetë, pos ruajtja e rrënjëve tona në kushte shumë të vështira, në të cilën ndodhej popullsia shqiptare në Jugosllavi në vitet 1945-1967.
Pas pak ditësh do te mbushen 90 vjet nga dita e lindjes se profesor Sadulla Brestovcit (13 tetor 1933). Le të shërbej figura e tij si shembull në shërbim të kombit dhe shkencës në përgjithësi. Lavdi! /Telegrafi/