Telegrafi

Propaganda ruse për mercenarët e vrarë në Ukrainë, reagon Vela: Alarmi për dezinformimin rus – të bllokohen informacione të tilla

Të përballur me humbje të mëdha gjatë agresionit ushtarak në Ukrainë, Moska zyrtare dhe mediat pro-ruse në Serbi po vazhdojnë me propagandën, që ka të bëjë me kinse mercenarët nga vendet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, në radhët e ushtrisë ukrainase.

Ndaj propagandës mediale të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, e cila ka xjerr njoftimin për shqiptarët e vrarë (sipas saj) nga ushtria ruse në Ukrainë, ka reaguar Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë si alarm për dezinformimin rus.

“Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi një listë të përbërë të luftëtarëve të vrarë nga vende të ndryshme evropiane në luftën në Ukrainë. Më pas mediat serbe që janë pro regjimit të Vuçiqit e përforcuan këtë narrativë. Rajoni ynë duhet të bllokojë informacione të tilla.”, ka shkruar Vela në një postim në Twitter, transmeton Telegrafi.

Edhe Ambasada e Rusisë në Shqipëri ka lëshuar një njoftim për numrin e shqiptarëve të vrarë nga ushtria ruse në Ukrainë (sipas Rusisë), e për këtë ka reaguar ish kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko.

Ai në një postim në Facebook shkruan se njoftimi i Ambasadës së Rusisë në Shqipëri për shqiptarët e vrarë (sipas Rusisë) është një akt i papërgjegjshëm.

“Ambasada e Federatës Ruse ka nxjerr njoftimin për shqiptarët e vrarë (sipas saj) nga ushtria ruse në Ukrainë. Ky është një akt i papërgjegjshëm. Duke i bërë të tjerët të kenë frikë nga ty nuk e ndryshon atë që je në të vërtetë”, ka shkruar Majko.

Lexo po ashtu Propaganda e Rusisë për shqiptarët e vrarë në Ukrainë, reagon ish-kryeministri Pandeli Majko

Ddezinformatën ruse po e ndihmojnë edhe qarqet serbe dhe malazeze që kanë lidhje me strukturat pro-ruse.

Milan Knezheviq nga Fronti Demokratik malazez në një shkrim në Tëitter thotë se, nga tërë bota në Ukrainë janë angazhuar rreth 7 mijë mercenarë.

Lexo po ashtu ​Rusia sërish me propagandë e dezinformata për Kosovën

I njohur për bindjet e tij djathtiste dhe lidhjet me eksponentë ekstremistë nga Moska, Knezheviq në listën e publikuar thekson se nga Kosova janë angazhuar 156 ushtarë, por që deri më tani janë vrarë 60 prej tyre.

Se propaganda ruse nuk ka të ndalur, tregon fakti që qysh në fillimet e agresionit ushtarak në Ukrainë, i pari i diplomacisë së Moskës, Sergei Lavrov pati deklaruar se nga mercenarë nga Kosova dhe rajoni po angazhohen në frontet e luftës.

Mirëpo, një gjë e tillë ishte mohuar kategorikisht nga të gjitha institucionet e rajonit, e veçanërisht të Kosovës. /Telegrafi/