Telegrafi

Promovuesi i Oleksandr Usyk sërish thumbon Tyson Furyn: E bëri përsëri në pantallona

Promovuesi i Oleksandr Usyk, Alex Krassyuk ka thumbuar edhe një herë Tyson Furyn, pasi kampioni i peshave të rënda të WBC mohoi se kishte pasur diskutime për një meç në dhjetor.

Ukrainasi dhe britaniku zhvilluan negociata në fillim të këtij viti për një luftë të padiskutueshme mes dyshes, por ata nuk arritën një marrëveshje dhe ekipi i këtij të parit u tërhoq nga bisedimet për shkak të pakënaqësisë së kërkesave të Gypsy King.

Krassyuk ia vuri fajin kampit të Furyt, duke i akuzuar ata se kanë vendosur shumë pengesa në rrugën për të parandaluar që lufta të ndodhte.

Lexo po ashtu Shuhen shpresat e Tyson Furyt - WBA i cakton Usykut kundërshtarin e detyrueshëm

Megjithatë, u duk se bisedimet kishin rifilluar që Fury dhe Usyk të takoheshin më në fund kur promovues tjetër, Eddie Hearn zbuloi të hënën se kishte pasur diskutime mes dyshes, për të zhvilluar duelin në Lindjen e Mesme, në natën kur do të mund të përballeshin edhe Anthony Joshua dhe Deontay Wilder.

Ky njoftim filloi të emociononte fansat, por Fury lëshoi ​​​​një mohim të shpejtë në Instagram, duke thënë: “Mund të konfirmoj se këto thashetheme janë gjepura”.

Krassyuk ju përgjigj shpejt britanikut, duke i thënë: “Ai sërish e bëri në pantallona”.

Fury dhe Usyk ende nuk kanë luftuar në vitin 2023 dhe asnjëri prej tyre nuk e ka njoftuar meçin e tyre të ardhshëm. /Telegrafi/