Improvizimi i dasmës tradicionale mirditore ka qenë mënyra që ka zgjedhur Bashkia Mirditë për të promovuar turizmin në këtë zone.
Të organizuar në një nga kullat më të vjetra të Mirditës në zonën e Kthellës, të ndjekur nga sytë kuriozë të dhjetëra turistëve, ardhur nga vende të ndryshme të botes, u ekspozuan produktet e zonës.
Elementët e detajuar të veshjeve, mënyra artizanale e gdhendjes së çiftelisë, bimët medicionale si dhe produktet gastronomike, morën vëmendjen e turistëve. vallja mirditore, e gërshetuar me zakonet e dasmës së krahinës, krijoi atmosferë në kullën qindra vjeçare.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndrec Dedaj, ftoi turistët të vizitojnë zonën, ndërsa drejtori i Pallatit të Kulturës në Rrëshen, Gjergj Marku, renditi disa nga pikat pse duhet eksploruar kjo zonë, ndërsa shtoi se Mirdita po shndërrohet ndër destinacionet më të kërkuara turistike.
Ndër motivet për të vizituar Mirditën, renditen edhe gastronomia e gërshetuar me folklorin, por edhe mikpritja vendase.