Përballja e Tyson Furyt me Jarrell Miller, do të ishte më e madhja në botën e boksit, ka thënë promoteri Dimitriy Salita.
Ekipa e boksierit të pamposhtur britanik është duke e konsideruar përballjen me amerikanin që muaj më parë rezultoi pozitiv në testet anti-doping.
Miller kishte aranzhuar përballjen me Anthony Joshua muaj më parë, mirëpo në teste rezultoi pozitiv, për t’i hapur rrugën kështu Andy Ruizit, që u shpall kampion bote në IBF, WBA dhe WBO, ndaj britanikut tjetër.
“Jarrell (Miller) është emri më i madh në kategorinë e peshave të rënda në boks”, ka thënë promoteri i tij, Dimitry Salita, në një intervistë për Sky Sports.
“Mediat e lidhin Jarrellin me një përballje të mundshme me Furyn dhe kjo është normale, por që do të ishte përballja më e madhe në boks në këto vitet e fundit”.
“Ende nuk kemi zhvilluar bisedimet, por personaliteti i të dy boksierëve do të thotë se ata mund të zhvillojnë në të ardhmen një përballje që do të zgjonte interesim të madh”., ka shtuar më tej promoteri i Miller.
Fury pak ditë më parë shënoi fitore ndaj Tom Schwarz në La Vegas, derisa përballja me amerikanin mund të zhvillohet në muajin tetor edhe pse ai është duke planifikuar një rimeç me Deontay Wilderin në fillim të vitit 2020. /Telegrafi/