Në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë, avokatët mbrojtës të Besmir Lilës dhe prokurori i çështjes zbuluan disa nga mesazhet që i riu nga Tirana i shkruante prezantueses televizive Luana Vjollca.
“Kanë qenë fjalë të dala nga s hpirti”, thanë avoktatët. “Ai nuk e ka përndjekur. Ajo nuk u ka bërë ‘block’ mesazheve të saj, duke ushqyer shpresën. I vetmi faj që ka bërë klienti ynë është që ka dashuruar një vajzë të bukur”, thanë avokatët Adnan Caka dhe Luan Daci.
Por gjyqtari Artan Lazaj nuk u bind dhe e la 32 –vjeçarin në burg për akuzat e “përndjekjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Prokurori i çështjes paraqiti 60 faqe me SMS që Lila i ka dërguar prezantuese dhe prova se i ka shkuar disa herë pranë shtëpisë apo në vendin e punës.
“Në një rast ai i ka shkruar SMS”: jam poshtë shtëpisë tënde, po ngjitem lart’”, tha prokurori.
Por avokatët replikuan: “Prokuroria ka printuar 60 faqe me SMS të dërguara drejt prezantueses, por në asnjërin prej tyre nuk ka asnjë fjalë fyese apo kërcënuese. Në secilin prej tyre shprehet simpati dhe dashuri. ‘Të dua’, ‘Të dashuroj’, ‘Gjithë jetën të pres’ nuk janë përndjekje. Mesazhi ‘të puth në buzë’ nuk është kërcënim”.
Për armën që iu gjet me vete në momentin e arrestimit, pasi prezantuesja e denoncoi për shkak se ai u përlesh me të dashurin e saj nga Prishtina, i riu nga Tirana tha se nuk ishte armë luftarake, por armë sportive.