Site icon Telegrafi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ngrit aktakuzë kundër policit Haris Kelmendi që keqtrajtoi 18-vjeçarin, Leotrim Rama

Prokuroria Themelore në Prishtinë  ka ngritur aktakuzë ndaj policit Haris Kelmendi, i cili kishte ushtruar dhunë mbi 18 vjeçarin Leotrim Rama, brenda stacionit policor në vitin 2018, për të cilin rast u raportua edhe në media.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj në një prononcim për Telegrafin ka konfirmuar se është ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet H.K., në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.

Ajo po ashtu tha se është ngritur aktakuzë edhe ndaj personit me inicialet inicialet A.H., në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, më 02.04.2021, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet H.K., në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 të KPRK-së dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga 386 të KPRK-së, si dhe ndaj personit me inicialet A.H., në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Lexo po ashtu Pamje se si u keqtrajtua 18 vjeçari nga zyrtari policor Haris Kelmendi

Ndryshe, polici Haris Kelmendi kishte ushtruar dhunë mbi 18 vjeçarin Leotrim Rama, brenda stacionit policorë. Krejt kjo kishte ngjarë tri vite më parë.

E menjëherë pas shpërndarjes së një video incizimi në rrjete sociale u morën edhe masa nga organet e drejtësisë.

I pandehuri Kelmendi u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për 48 orë.

E posa plotësoi këtë dënim prokurori Eset Rama e liroi H.K me arsyen se ky i fundit u tregua i sinqertë gjatë deklaratave të përshkrimit të rastit.

Mirëpo lënda nuk u mbyll me kaq pasi që Këshilli Prokurorial vendosi ta suspendojë Ramën si ndëshkim për vendimin e dhënë.

“KPK-ja ka marrë vendim në mënyrë unanime për pezullimin nga puna të prokurorit në fjalë, si dhe ka themeluar Panelin hetimor, i cili do të trajtojë rastin dhe do t’i rekomandojë KPK-së vendimin përfundimtar”, thuhej në njoftim.

E pas suspendimit të prokurorit Rama, prokuroria mori vendim ta kthejë policin H.K sërish në paraburgim. Edhe këtë herë polici nuk qëndroi gjatë.

Lexo po ashtu Lirohet nga paraburgimi polici që keqtrajtoi 18-vjeçarin Leotrim Rama - i shqiptohet masa e arrestit shtëpiak

Kjo pasi që avokati i Haris Kelmendit dërgoi lëndën në Gjykatë të Apelit.

Arbër Jashari, zëdhënës i Gjykatës së Apelit kishte bërë të ditur se polici që ka kryer aktin e dhunshëm mbi Leotrim Ramën u lirua nga paraburgimi dhe të njëjtit iu caktua masa e arrestit shtëpiak në muajin shkurt, në kohëzgjatje prej 30 ditësh. /Telegrafi/

Exit mobile version