Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj menaxherit të reperes së njohur, Tayna, Rinor Hykolli.
Aktakuza është ngritur për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” për Rinor Hykolli dhe të pandehuri tjetër, Sh.Xh.
Menaxheri i Taynas gjendet nën masën e paraburgimit që nga 3 nëntori, dhe me rastin e aktakuzë është propozuar që t’i vazhdohet masa e paraburgimit.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Gjilan:
Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurve R.H. dhe Sh.Xh., për shkak të veprës penale ‘’Lëndimi i rëndë trupor”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri R.H., më 22 Korrik 2021, rreth orës 00:40 minuta, në diskotekën Stop, në Gjilan, me dashje dhe me përdorimin e dhunës, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., duke e goditur me dorezë të revoles në pjesën e pasme të kokës, e më pas e ka goditur me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat i njëjti ka kërkuar tretman mjekësor.
I pandehuri R.H., sipas kërkesës së prokurorisë gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 03 Nëntor 2021 dhe me rastin e ngritjes së aktakuzës është propozuar që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit.
Ndërsa, i pandehuri Sh.Xh., me dashje ka ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që me marrëveshje paraprake me të pandehurin R.H., e thërret të dëmtuarin L.B., duke e dërguar në vendin ku është kryer vepra penale. /Telegrafi/