Telegrafi

Prokuroria konfirmon arrestimin e serbit të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka njoftuar se në Budapest të  Hungarisë, sipas Urdhër arrestit Ndërkombëtar të kërkuar nga kjo prokurori, është ndaluar personi me inicialet S.S., i nacionalitetit serb.

Prokuroria Speciale njofton se ndaj S.S., është nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimit për shkak që i njëjti dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me  krimet e luftës, ashtu që i njëjti ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, me ç’rast janë vrarë tridhjetetre (33) persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore.​

Ndryshe, një gjykatë në Budapest të Hungarisë lëshoi ​​të hënën një urdhër ekstradimi të përkohshëm për një serb të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë.

Përveç tij, edhe dy serbë të tjerë dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast.

Prokuroria e Përgjithshme e Budapestit njofton se i akuzuari është arrestuar mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë./Telegrafi/