Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimit në rastin e përgjimeve, i cili fillimisht është iniciuar kundër të pandehurit A.G. deputet dhe kryetar i grupit parlamentarë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Sipas një njoftimi, hetimet janë zgjeruar edhe kundër shtatë zyrtarëve të tjerë: A.P. ish-Shefe e Njësisë për furnizim në Departamentin e farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë, I.G. ish- sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, B.B. ish- ministër në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, N.K. ish – Kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit Z.P. deputet në Parlamentin e Republikën e Kosovës, F.Sh. ish – zëvendës ministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe S.G ish – Këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Siç shkruajnë mediat, ndër tjerësh bëhet fjalë për Besim Beqajn, ish-ministër në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, si dhe Zenun Pajazitin, deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Të gjithë të pandehurit dyshohen për kryerjen e dy veprave penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK dhe Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Telegrafi/