Site icon Telegrafi

Prokuroria: PSP-së ia kemi dorëzuar të gjitha materialet për rastin “Puç“, përveç atyre të klasifikuarave

Prokuroria Themelore për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ia ka dorëzuar të gjitha dokumentet në lidhje me rastin “Puç“ Prokurorisë Speciale. Nga Prokuroria thonë se materialet e klasifikuara të cilat janë dorëzuar në Gjykatën Themelore Shkupi 1, nuk janë dorëzuar edhe në Prokurorinë Speciale për shkak se nuk ka kopje të dytë.

“Prokuroria Themelore për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ia ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin Prokurorisë Speciale për rastin e njohur në publik “Puç“. Për shkak se nuk ka kopje të dytë të materialeve të klasifikuara, këto materiale janë dorëzuar në Gjykatën Themelore Shkupi 1”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Themelore.

Nga Prokuroria njoftojnë se në bazë të materialeve të njëjta, përpara se t’ia dorëzojë Prokurorisë Speciale, ajo e ka ngritur akuzën për rastin “Puç”.

Përndryshe, dje Prokuroria Speciale ka kërkuar shtyrjen e seancës kryesore të rastit “Puç“ në të cilin njëri ndër të akuzuarit është lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, për shkak se Gjykata ka refuzuar t’ia dorëzojë kopjen me dokumente dhe dëshmi elektronike me arsyetimin se bëhet fjalë për informata të klasifikuara.

Nga Prokuroria Speciale kanë njoftuar se përveç rastit “Puç”, Gjykata Themelore Shkupi 1, e pengon punën e kësaj Prokurorie edhe në të gjitha lëndët tjera për të cilat ka kërkuar që t’u dorëzohen materialet për ekspertizë, përcjellë Portalb.

Nga Gjykata kanë reaguar duke e vlerësuar si tendencioze dhe të paqartë, deklaratën e Prokurorisë Speciale në lidhje me atë se ajo po bën obstruksion ndaj prokurorisë në fjalë.

Zaev, pas mbarimit të seancës, ka thënë se përveç në Korenë e Veriut, askund në botë nuk ekziston Gjykatë që nuk ndanë drejtësi.

Sipas tij, arsyetimi për i Gjykatës për mosdorëzimin e dëshmive në Gjykatën Speciale është i pabazë sepse të dy gjykatat kanë certifikatë për informata të klasifikuara.

Gjykata e ka demantuar Zaevin, se për këtë rast nuk është situata konkrete se a ka dikush certifikatë apo jo, por të kryhet ekspertizë dhe të punohet me të gjitha dokumentet e lëndës, në të cilat ka edhe informata të klasifikuara. Nga Gjykata shtojnë se kjo është çështje e pastruar.

Prokuroria Speciale ka propozuar ligj të ri për dënimin e institucioneve që nuk bashkëpunojnë me të.

“Duke e pasur parasysh këtë gjendje dhe obstruksionet në punën e Prokurorisë Speciale, propozojmë ndryshimin e Kodit Penal dhe futjen e veprës së re penale – pengim të drejtësisë, e cila do të jetë në krye të veprave penale kundër gjyqësorit”, kanë reaguar dje nga Prokuroria Speciale në lidhje me mosbashkëpunimin e dhjetëra institucioneve me të.

Ndaj akuzave të Prokurorisë Speciale që dhjetëra institucione nuk bashkëpunojnë me të në nivel të duhur, dje kanë reaguar Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Prokuroria Publike e Shkupit, duke vlerësuar se vlerësimet e tilla nuk janë të vërteta.

Në lidhje me propozimin e Prokurorisë Speciale, për ndryshimin e Kodit Penal dhe futjen e veprës së re penale – pengim të drejtësisë, e cila do të jetë në krye të veprave penale kundër gjyqësorit, nga prokuroritë dje kanë thënë se në këtë kontekst e përmbajnë këtë iniciativë.

Rasti “Puç”, i cili fillimisht ka nisur në gusht të vitit 2015 vazhdimisht është shtyrë për arsye të ndryshme. Në rastin “Puç” për spiunazh dhe dhunë ndaj zyrtarëve shtetëror, të akuzuar janë, Zoran Zaev, Zoran Verushevski dhe bashkëshortja e tij Sonja, Branko Palifrov i punësuar në komunën e Strumicës dhe Gjorgji Lazarevski i punësuar në MPB.

Prokurorja speciale, Katica Janeva, dje ka kërkuar që në seancën e radhës të jetë prezent edhe i dëmtuari i cili është edhe dëshmitarë, gjegjësisht ish kryeministri Nikolla Gruevski, seanca e radhës do të mbahet më 3 maj. /Telegrafi/

Exit mobile version