Kryeministri në detyrë, Albin Kurti të premten përmes rrjetit social Facebook është kërcënuar me jetë.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka nisur hetimet.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me kërcënimin që i është bërë më 10 prill 2020, Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përmes rrjeteve sociale.
Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke punuar për zbardhjen e identitetit të vërtetë të personit në fjalë, si dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Një person me emrin, Daniel Arianitti, ka thënë se jep dëmshpërblim prej 10 milionë [pa specifikuar se çfarë] në këmbim “të kokës së Albinit”.
Mirëpo, i njëjti sot ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se nuk e kërcënuar Albin Kurtin dhe nuk i jep 10 milionë euro për kokën e tij.
Ai thotë se ka cituar një thënie të shkencëtarit të njohur Albert Einstein dhe të tjerët e kanë keqpërdorur, sidomos ata që ja duan të keqen atij. /Telegrafi/