Telegrafi

Prokuroria lëshon urdhër-arrest për Nuredin Lushtakun, kërkon paraburgim për dy të tjerë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarit Faton Lushtaku dhe Arif Lushtaku për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Lexo po ashtu Gjithçka ndodhi shkaku i një gjobe për kundërvajtje – policia jep detaje të reja rreth incidentit në Skenderaj ku i dyshuar është Nuredin Lushtaku

Njëherit, pas grumbullimit të provave të mjaftueshme për këtë rast, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L., por i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim.

“Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale”, thuhet në njoftim.

Ndryshe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se deri më tani janë intervistuar katër të dyshuar dhe se deri te incidenti kishte ardhur për shkak të shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik.

Lexo po ashtu Versioni i Lushtakut: Polici Enver Smakiqi plagosi kolegun e tij, ishim në rrezik të na vriste të gjithëve

“Lidhur me rastin janë intervistuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik kanë sulmuar dy zyrtarë policorë. Njëri nga zyrtarët ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, ndërsa zyrtari tjetër nga një mjet i fortë”, thuhet në raportin e policisë.

Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi/provave materiale. /Telegrafi/