Telegrafi

Prokuroria konfirmon arrestimin e bashkëshortit të Arta Bajramit

Prej ditësh ka qarkulluar lajmi për arrestimin e bashkëshortit të këngëtares së njohur, Arta Bajrami, Xhemajl Xhim Sekiraqa.

Ndërkohë, sot ky lajm është konfirmuar për Telegrafin, nga ana e zëdhënëses së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, fillimisht është ndaluar personi në fjalë në kohëzgjatje prej 48 orësh, i cili ka pasur urdhër arrest ndërkombëtar për shkak të veprës penale “Grabitja”, ndërkaq për të njëjtin është kërkuar masa e paraburgimit në Gjykatën kompetente”, tha Ulaj për Telergafin.

Foto: Arta Bajrami/Instagram

Në anën tjetër, këngëtarja Bajrami e kontaktuar nga Telegrafi ditë më parë kishte mohuar arrestimin e tij, duke deklaruar se bashkëshorti i saj ndodhej në shtëpinë pranë familjes.

Lexo po ashtu Pas lajmeve për arrestimin e bashkëshortit, reagon Arta Bajrami: Burrin e kam në shtëpi, duke kaluar kohë kualitative me familjen

“Me bashkëshortin jam në shtëpi, po kalojmë kohë kualitative me familjen. Bashkë dhe të lumtur. Për ata që duan ta dinë, data: 05.01.2023, lokacioni: Kodra e Trimave – Prishtinë”, ka deklaruar Arta për Telegrafin.

Arta gjithashtu kishte ndarë disa imazhe ku shihej përkrah partnerit në ambientet e tyre familjare. /Telegrafi/