Telegrafi

Prokuroria kërkon rritjen e dënimeve në rastin “Drenica 2”

Dhjetë të akuzuarit e rastit ‘Drenica’ 2 kanë nisur ballafaqimin me Gjykatën e Apelit për dënimin për krime lufte.

Në këtë grup të rastit Drenica, Agim Demaj, Bashkim Demaj, Driton Demaj, Selman Demaj, Fadil Demaku dhe Nexhat Demaku janë dënuar me nga 3 vjet burgim, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Isni Thaqi me nga 7 dhe Sylejman Selimi 8 vjet burgim, raporton KTV.

Ata ballafaqohen me 2 pika të akuzës për krime lufte që, sipas aktakuzës, ndërlidhen me keqtrajtimin e të burgosurve në qendrën e paraburgimit në Likoc.

Trupi gjykues ka vlerësuar se dëshmia e A-së, i cili ishte marrë nga shtëpia e tij nga ushtarë të UÇK-së dhe në Likoc kishte qëndruar për 1 muaj, përputhet me dëshminë e ekspertes Carmen Barbu.

Megjithëkëtë, mbrojtja e të pandehurve në ankesat e tyre kanë vlerësuar se dënimet janë të padrejta dhe bazohen vetëm në dëshminë e një dëshmitari.

Kështu, të gjithë të pandehurit kanë kërkuar lirim të tyre ose rigjykim në shkallën e parë nga një panel tjetër.

Por, Prokuroria është ankuar për të kundërtën, që dënimet nuk janë të duhura.

Seancat në Gjykatën e Apelit do të vazhdojnë edhe ditët e ardhshme, megjithatë trupi gjykues me vendim do të dalë muajt në vazhdim.