Site icon Telegrafi

Prokuroria kërkon paraburgim për Tush Frrokajn, i dyshuar për vrasjen në Klinë

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar masën e paraburgimit për Tush Frrokajn të dyshuar për vrasje në Klinë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

Ai  ka bërë të ditur se të mërkurën gjithashtu do të mbahet seanca ku do të shqyrtohet kërkesa për paraburgim.

“Është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori i shtetit ka dorëzuar kërkesën në departamentin për krime të rënda. Njëkohësisht, gjatë ditës së sotme do të mbahet seanca e procedurës paraprake, do të shqyrtohet kërkesa e prokurorit të shtetit që t’i caktohet masa e paraburgimit personit të pandehur, Tush Frrokaj”, ka thënë ai.

Tush Frrokaj dyshohet që me datën shtatë gusht të këtij viti e ka privuar nga jeta vëllain e gruas së tij, Anton Prelën.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal në qendër të Klinës, ku i dyshuari kishte hyrë dhe kishte gjuajtur disa herë në drejtim të viktimës, duke e lënë të vdekur.

Pas vrasjes Frrokaj ishte në arrati deri në ditën e djeshme ku edhe u vetëdorëzua në Polici./Telegrafi/

Exit mobile version