Telegrafi

Prokuroria e Gjilanit kërkon paraburgim për të dyshuarin që vrau shokun e tij me thikë

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit D.T., në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, më 16 Dhjetor 2023, rreth orës 20:35 minuta, në fshatin Dobërçan, komuna e Gjilanit, i pandehuri D.T., me dashje, për motive deri më tani të pa njohura, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.B., duke e goditur me thikë disa herë në pjesë të ndryshme të trupit.

“Me këto veprime i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën e sipërshënuar penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Lexo po ashtu Ndalohet për 48 orë i dyshuari për vrasjen e mbrëmshme në Gjilan

Ndryshe, të shtunën, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjilan, Valon Osmani kishte konfirmuar rastin për Telegrafin.

“Me datën 16.12.2023 rreth orës 21:00 kemi pranuar informacion se një person nga fshati Dobërçan është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë. Viktima nuk ka arritur t’iu përballojë plagëve të shkaktuara dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar”, ka thënë Osmani.

“Në lidhje me këtë rast zyrtarët policor kanë arrestuar një të dyshuar. Njësitet policore relevante së bashku me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku aktualisht janë duke punuar për ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë rast”, ka thënë zëdhënësi./Telegrafi/