Site icon Telegrafi

Prokuroria kërkon paraburgim për pesë personat që sulmuan policët në Fushë Kosovë, dyshohen për vrasje në tentativë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve të përfshirë në përleshjen me policët në Fushë Kosovë.

Sipas komunikatës për medie, masa e paraburgimit është kërkuar me dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve G.K., A.K., F.K., B.K., dhe Sh.K., me dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.9 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë sqarohet se rasti ka të bëjë me përleshjen e cila ka ndodhur në Fushë Kosovë, më 3 nëntor 2020.

Lexo po ashtu Përleshje fizike mes policëve dhe qytetarëve në Fushë Kosovë - plagoset me armë zjarri një person

“Si pasojë e shqiptimit të një tikete kundërvajtjeje, janë sulmuar fizikisht me mjete të forta (shipka të metalit) dy zyrtarë policor nga shtatë persona të dyshuar. Nga kjo përleshje pesë persona kanë marrë lëndime trupore, prej tyre dy zyrtarë, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Të dyshuarit, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh. /Telegrafi/

Exit mobile version