Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka dhënë detaje të reja për vrasjen e 19 vjeçarit në Gjilan.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se më 23 tetor pas mesnatës, në rrugën “Gjon Sereqi” në Gjilan, dyshohet se një person i moshës 19 vjeçare është sulmuar me thikë, i cili për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë, transmeton Telegrafi.
“I ndjeri E.S., fillimisht është dërguar për ndihmë mjekësore, në Emergjencën e Spitalit Regjional, në Gjilan, pastaj është transferuar në QKUK, në Prishtinë, ku edhe ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i të ndjerit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe rasti është cilësuar si ‘’Vrasje e rëndë’’, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se, lidhur me këtë çështje prokuroria në bashkëpunim me policinë janë duke ndërmarrë veprime hetimore, të cilat përfshijnë edhe intervistimin e familjarëve të të ndjerit dhe dëshmitarëve tjerë, me qëllim të ndriçimit të kësaj çështje penale. /Telegrafi/