Telegrafi

Prokuroria jep detaje për vrasjen në Prishtinë – të plagosur kanë mbetur tre persona, njëri prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore

Një vrasje ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë, si pasojë e një konfrontimi me armë zjarri mes dy grupeve.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Prishtinës, në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se nga të shtënat me armë kanë mbetur të plagosur edhe tre presona të tjerë.

“Lidhur me rastin e “vrasjes së rëndë”, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore në vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve preliminare dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri është vrarë një person, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ku njëri prej tyre e ka gjendjen me të rëndë shëndetësore”, ka deklaruar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

Telegrafi mëson se në mesin e personave të plagosur është edhe një kalimtare rasti.

Lexo po ashtu Vrasja në Prishtinë, konfrontim në mes të dy grupeve

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më tej ka theksuar se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.

“Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, derisa në koordinim me policinë po zhvillohen hetime për arrestimin e të dyshuarve dhe sigurimit të prezencës së të njëjtëve në procedurën penale”, ka theksuar tutje Ulaj në një përgjigje me shkrim.

Ndryshe Policia e Kosovës mbrëmë fillimisht konfirmoi se një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

“Rreth orës 21:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit ku fatkeqësisht njëri nga ta ka ndërruar jetë”, kishin konfirmuar mbrëmë nga policia. /Telegrafi/