Prokuroria e Shtetit ka deklaruar se ka filluar hetimet për kurdisje të ndeshjeve në futbollin e Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme (e martë) ka pasur shumë akuza në drejtim të gjyqtarëve dhe skuadrave për kurdisje dhe gjykim të ndeshjeve me paramendim.
Kryetarët e klubeve të njohura si Feronikeli, Ballkani dhe Llapi kanë dalë me deklarata të tilla duke bërë akuza për kurdisje.
Sot (e mërkurë) gjatë ditës, Prokuroria e Shtetit ka dalë me deklaratë zyrtare në lidhje me këtë dukuri.
Sipas tyre, prokuroritë themelore kanë filluar hetimet për verifikimin e akuzave në media në lidhje me kurdisjen e ndeshjeve.
“Prokuroria e Shtetit njofton opinionin publik se është duke përcjellë të gjitha deklaratat e bëra publike, lidhur me kurdisjet e ndeshjeve futbollistike, si dhe ka kërkuar nga prokuroritë themelore që të fillohen hetimet për verifikimin e këtyre shkrimeve dhe paraqitjeve në media se ka kurdisje të ndeshjeve”, ka thënë zëdhëndësi Ekrem Lutfiu. /Telegrafi/