Telegrafi

Prokuroria sqarohet për rastin e therjes me thikë të 25-vjeçarit në Istog: Askush nuk është arrestuar

Policia e Kosovës njoftoi të enjten se tre persona janë arrestuar si të dyshuar për therjen e 25-vjeçarit shtatë herë me thikë në Saradran të Istogut. Po ashtu, u bë e ditur se të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

E Prokuroria Themelore në Pejë ka demantuar policinë duke thënë se për këtë rast nuk është arrestuar askush.

Sipas tyre, një person është shoqëruar në stacionin policor, ndërsa dy të tjerë i janë përgjigjur ftesës dhe janë paraqitur. Por, të njëjtit thuhet se janë lënë në liri pasi është bërë verifikimi i vendndodhjes së tyre në kohën kur ka ndodhur sulmi ndaj viktimës.

“Fillimisht nuk ka qenë askush i arrestuar për këtë rast, mirëpo një person ka qenë i shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjerë i janë përgjigjur ftesave dhe janë paraqitur”.

“Pas marrjes së deklaratave nga hetuesit policorë, janë lënë të lire për shkak se është bërë verifikimi i vendndodhjes së tyre në kohën kur ka ndodhur sulmi ndaj viktimës”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikçi.

Ai tutje ka bërë të ditur se është autorizuar Policia e Kosovës që përmes veprimeve hetimore të identifikojnë personin apo personat e dyshuar që kanë kryer këtë vepër penale.

“Pasi të identifikohet kryesi apo kryesit e kësaj vepre, të njëjtit do të arrestohen. Intensivisht është duke u punuar në këtë drejtim”, ka përfunduar Nikçi.

Ndryshe, 25-vjeçari është therur shtatë herë mbrëmjen e së mërkurës.

Policia përmes raportit 24 orësh bëri të ditur se rasti është raportuar nga nëna e viktimës.

“Saradran, Istog 04.01.2023, 17:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se djali i saj viktima mashkull kosovar është therur me thikë nga persona të panjohur. Viktima është dërguar për tretman mjekësor”.

“Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.

Rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

Viktima është duke u trajtuar në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

Për gjendjen e tij janë deklaruar nga spitali, përmes një njoftimi publik ku thuhet se pacienti ka pasur tetë plagë në kokë, ekstremite dhe pjesë të tjera të trupit./Telegrafi/