Gjykimi i cili nuk po kryhet që afër 15 vjet që nga ngritja e aktakuzës për dhunimin e 18 vjeçares asokohe, K.K., ka filluar rishtas.
Ky gjykim ka filluar për shkak se ka ardhë deri tek ndryshimi i trupit gjykues, për shkak se kryetarja e kaluar e trupit gjykues, Nora Bllaca- Dula, është avancuar në Gjykatën e Apelit.
Tani më ky gjykim do të udhëhiqet nga gjykatësi Vehbi Kashtanjeva.
Pas mbajtjes së fjalës hyrëse, në sallën e gjykatës dha dëshminë vëllai i viktimës, D.K., i cili tregoi versionin e tij të ngjarjes ashtu siç i kishte treguar motra e tij, tashmë e ndjerë.
Para se të fillonte të jepte dëshminë, avokati i të akuzuarit Sh.G., Bajram Tmava, propozoi që në këtë pjesë të seancës gjyqësor ku do të dëshmojnë familjarët e të ndjerës të përjashtohet publiku.
“Për shkak se dëshmitë e tyre lidhen me çështjet personale të të mbrojturit tim”, shtoi Tmava, duke theksuar se tani më i akuzuari ka krijuar familje.
Këtë propozim të avokatit, e kundërshtoi prokurorja Besa Limani, me arsyetimin se në këtë çështje penale, publiku nuk ka qenë i përjashtuar asnjëherë deri më tani.
“Në qoftë se ndonjëra palë do të kishte interes që publiku të përjashtohej sa i përket disa kritereve, do të ishe pala e dëmtuar, por ajo nuk e ka kërkuar këtë asnjëherë”, deklaroi prokurorja.
Këtë deklaratë të prokurores e përkrahi në tërësi edhe përfaqësuesi i familjes së dëmtuar, avokati Hamit Gashi.
Ndërkaq, vëllai i të ndjerës i cili ishte gati të fillonte dëshminë, deklaroi se sa i përket atyre si palë e dëmtuar, “(publiku) nuk prish punë”.
Pas këtij propozimi për përjashtimin e publikut, trupi gjykues mori aktvendim që publiku të përjashtohet për arsyet e cekura nga avokati Bajram Tmava.
Pas këtij vendimi, nga salla u largua publiku i pranishëm, ndërkaq monitoruesit u lejuan të qëndrojnë, me kushtin që të mos publikohet dëshmia e familjarëve të së ndjerës.
Kallxo.com monitoroi këtë seancë deri në përfundimin e saj. Në seancat e radhës do të vazhdohet me dhënien e dëshmive nga ana e familjarëve të viktimës në këtë proces gjyqësor.
Në bazë të aktakuzës së ngritur më 16 maj 2003, të akuzuarit Sh.R, dhe B. M., më datën 19 dhjetor në 2001 në fshatin Dobroshec, me dhunë e kanë futur të ndjerën K.K. në veturë, me qëllim që të njëjtit të kryejnë marrëdhënie seksuale me të ndjerën.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit e kanë dërguar të ndjerën në Lagjen e Çikatovës e më pas në banesën e V.C. në Gllogovc.
Gjatë kohës që kanë qëndruar në Gllogovc, i akuzuari Sh.R. ka kërkuar që të ketë marrëdhënie seksuale nga e ndjera, me ç’rast kjo e fundit ka kundërshtuar duke përdorur forcë dhe e gjithë kjo ka rezultuar me dhunë nga i akuzuari Sh.R. kundrejt të ndjerës Kastrati.
E ndjera është mbajtur me dhunë në atë shtëpi nga i akuzuari Sh.R. deri të nesërmen më 20.12.2001.
Sipas prokurorisë, pas këtij rasti, për shkak të depresionit, e ndjera ka pirë helm-herbicid, ndërsa më 12 janar 2002 kishte ndërruar jetë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Sh.R. ka kryer veprën penale marrëdhënie seksuale me dhunë, ndërsa i akuzuari B.M. veprën penale marrëdhënie seksuale me dhunë në ndihmë, sipas Rregullores së UNMIK-ut e cila ka qenë në fuqi.
Të pandehurit në mbrojtjen e dhënë në hetuesi e kanë mohuar kryerjen e veprës penale, duke shtuar se tani e ndjera ka shkuar në banesën e të akuzuarit me vetëdëshirë dhe kundrejt saj nuk është përdorur asnjë lloj force apo dhunë seksuale.