Prokurori i Mitrovicës, Njazi Rexha, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se një nga dëshmitarët në rastin e vrasjes së policit Valon Goxhuli në Skenderaj është edhe emri, Ilir Zeqiri.
Mirëpo, siç tha prokurori Rexha, nuk është i sigurt nëse bëhet fjalë për personin e njëjtë i cili u gjend i djegur në veturën e tij në fshatin Prekaz i Epërm të Skenderajt.
“Një dëshmitar me emrin Ilir Zeqiri, ka qenë në rastin e policit Valon Goxhuli, mirëpo nuk e di nëse është personi i njëjtë”, ka thënë Rexha.
Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë se për momentin nuk ka ndonjë informacion shtesë, pos asaj që është thënë të martën në raportin e policisë.
Ndryshe, personi më inicialet I.Z 48 vjeç, u gjet pa shenja jete të hënën në një veturë të djegur në Skenderaj.
Në bazë të raportit policorë, në hetimet e para rasti në fjalë u cilësua si vepër penale ‘vrasje rëndë’.
“Rreth orës 19:00 të datës 8 prill 2019, Policia ka pranuar informacion se në fshatin Prekaz i Epërm të Skenderajt, një veturë ishte kapluar nga zjarri. Drejtë vendit të ngjarjes me urgjencë kanë reaguar njësitë policore dhe njësia e zjarrfikësve ku pas fikjes së zjarrit brenda në veturën e djegur është gjetur një trup i pajetë. Nga hetimet e para dyshohet se trupi i pajetë është i viktimës I. Z. rreth 48 vjeçar, ndërsa vetura e djegur me targa vendore ishte në pronësi të viktimës.
Nga hetimet fillestare të bëra nga hetuesit e Krimeve të Rënda në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja të armës.
Marrë parasysh të gjeturat fillestare në vendin e ngjarjes dhe elementet tjera rethanore, sipas prokurorit të rastit hetimet janë duke u zhvilluar mbi dyshime për vepër penale ‘ vrasje e rëndë’.
Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, thuhet në raportin e policisë. /Telegrafi/