Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre muaj nga sulmi me mjet shpërthyes ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, dhe më shumë se dy muaj nga arrestimi i personave të dyshuar – aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje – këta të fundit ende nuk janë intervistuar nga prokurori I rastit
Këtë fakt e nxori në pah vdekja e njërit prej të dyshuarve të këtij rasti – Astrit Dehari, i cili është gjetur pa shenja jete në qelinë e Qendrës së Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor.
Lidhur me këtë çështje, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abdurrahim Islami, tha për KALLXO.com se intervistimi i të dyshuarve do të ndodhë këtë muaj. Ndërsa, sa i përket caktimit të masës së paraburgimit për Deharin, prokurori theksoi se kërkesa ishte bërë në bazë të provave të tjera që i ka në posedim Prokuroria.
Për sulmin e 4 gushtit të këtij viti ndaj Kuvendit të Kosovës, si të dyshuar ishin arrestuar aktivistët e Vetëvendosjes: Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi. /kallxo.com/