Site icon Telegrafi

Prokurori nis intervistimin e aktivistëve të LVV-së, të dyshuar për terrorizëm

 

Tek dje, gati më shumë se dy muaj pas arrestimit të 6 aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, të dyshuar për sulmin terrorist të 4 gushtit në objektin e Kuvendit të Kosovës, prokurori ka filluar intervistimin e të dyshuarve.

Prokurori i rastit, Abdurrahman Islami, thotë se vonesat kanë ndodhur për shkak se ishin duke pritur ekspertizat nga laboratori. Kjo procedurë ka nisur një javë pasi njëri prej të dyshuarve u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit.

Pritja e ekzaminimeve nga laboratori dhe ekspertiza ligjore, thotë prokurori Abdurrahman Islami, të kenë qenë arsyet se pse Prokuroria ende nuk kishte intervistuar gjashtë aktivistët e LVV-së, pas më shumë se 70 ditë prej arrestimit të tyre, mëngjesin e 30 gushtit.

Por, për pesë prej 6 aktivistëve sa janë të dyshuar për sulmin terrorist të 4 gushtit, me zollë, në objektin e Kuvendit të Kosovës, intervistimi ka filluar qysh dje, konfirmon prokurori i rastit, Islami.

Njëri prej të dyshuarve, Astrit Dehari, të shtunën e kaluar u gjet i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Vdekja e tij, ende vazhdon të jetë e dyshimtë.

Prokurori Islami ka konfirmuar për Gazetën Express se dje ka intervistuar disa prej të akuzuarve. Ai tregoi se me këtë procedurë do të vazhdohet edhe gjatë ditëve në vijim, por nuk pranoi të thotë se cilët prej 5 të akuzuarve janë marrë në pyetje dje e sot.

“Prej dje kemi filluar intervistimin. Do të vazhdohet prapë këtë javë dhe në fillim të javës tjetër. Deri ka fillimi i javës së ardhshme do të përfundojmë me të gjithë”, tha prokurori i Shtetit, Abdurrahman Islami.

Ai mohon se vdekja e të dyshuarit Dehari ka përshpejtuar këtë procedurë, por thotë se intervistimi i të dyshuarve nuk kishte ndodhur pasi Prokuroria ishte në pritje të ekspertizave ligjore të tyre, për t’u dëshmuar më në detaje lidhja e të arrestuarve me sulmin.

Sipas tij, tek tash kanë marrë konstatimet e laboratorit.

“Deri më tani nuk janë intervistuar, jo pse ne i kemi lanë, por për shkak të pritjes së rezultateve nga laboratori, d.m.th. ekspertizat, konstatimet. Pasi deri më tani nuk kanë ardhur në s’kemi mujtë me vazhdu me intervistim. Kemi pritë prej atyne që mos po del naj provë e re”, i tha ai Gazetës Express, përmes telefonit.

Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Astrit Dehari, Adea Batusha, Petrit Ademi dhe Frasher Krasniqi, që të gjithë aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, ishin arrestuar 29 ditë pas sulmit me zollë në Kuvendin e Kosovës, si të dyshuar kryesorë për organizim dhe kryerje të këtij sulmi që u konsiderua si terrorist.

Tre prej tyre, Arifi, Haliti dhe Dehari u mbajtën në paraburgim, derisa Batusha, Ademi dhe zëdhënësi i LVV-së, Frasher Krasniqi, u lanë në arrest shtëpiak.

Autoritetet kosovare pretendojnë se kanë prova të mjaftueshme për të dëshmuar se sulmi me mortajë ndaj Kuvendit të Kosovës, është kryer dhe organizuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

Gazeta Express kishte arritur ta siguronte dosjen, në të cilën detajisht përshkruhet se si ata e realizuan këtë sulm ndaj organit të legjislativit. /Express/

Exit mobile version