Telegrafi

Prokurori në pension, Sylë Hoxha: Radojçiqin e kërkuam, por nuk e gjetëm në shtëpi – aty gjetëm drogë

Milan Radojiçiq, nënkryetari i Listës Serbe, ndodhet në listën e personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është i njohur në Kosovë si “koka e krimit” në veri.

Për Radojçiqin ishte lëshuar urdhër-arrest, si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Ish-Prokurori, Sylë Hoxha ka treguar se Radojiçiq nuk është arrestuar sepse nuk ishte në shtëpi në momentin kur është bastisur shtëpia e tij.

Megjithëkëtë, gjatë bastisjes është gjetur një sasi e narkotikut, për të cilat Hoxha thotë se është hapur hetim.

“Në në një moment të caktuar, nashta po bëhen 3 vjet, ka qenë fundi i nëntorit diku, s’po më kujtohet saktë data. Kemi lëshu përmes gjykatës një urdhërbastisje. Policia e Kosovës, përmes disa personave të tjerë të kërkuar, të cilët kanë qenë në kërkim, nën dyshim tu zhvillu hetimet drejt tyre edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, në atë rast është bastisur edhe shtëpia e Milan Radojçiqit. Mirëpo, i njëjti nuk është gjetur në shtëpi, por është gjetur një sasi e narkotikut, jo një sasi e madhe, për të cilën edhe i kemi hap hetimet. Mirëpo, Radojçiqi nuk është hasur në shtëpi”, tha Hoxha, për Kanal10.

Ish-prokurori tregoi se në atë mëngjes, kur po kryheshin bastisjet në pjesën veriore, ka pasur edhe të shtëna, për shkak se qytetarët në atë pjesë e kundërshtonin policinë.

“Në atë mëngjes, kur kanë shku në bastisje, ka pasur edhe të shtëna me armë, nuk ka qenë bash lehtë. Disa qytetarë të pjesës veriore kanë kundërshtuar policinë, por për fat nuk ka pasur të plagosur në këtë rast”, tha Hoxha.