Në fjalën përfundimtare në gjykimin e aktivistëve të Vetëvendosjes për sulmin kundër Kuvendit të Kosovës, prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami tha se dëshmitari Egzon Metolli ka ofruar informacione lidhur me kryesit e veprës dhe motoçikletën e përdorur në sulmin e 4 gushtit 2016.
Sa i përket motoçikletës së përdorur në sulmin kundër Kuvendit të Kosovës me mjet shpërthyes, prokurori tha se ka siguruar librezën e motoçikletës nga organet zvicerane dhe se është numri i njëjtë i shasisë dhe elementet tjera karakterizuese mes motoçikletës së shpallur në faqen “merrjep.com” dhe asaj të gjetur të djegur, raporton Kallxo.com.
Po ashtu, prokurori Islami tha se ka siguruar pamjet e kamerës kur të akuzuarit kanë blerë një mbushje telefoni në arkën e ETC-së dhe se përmes asaj mbushjeje është telefonuar shitësi i motoçikletës, Heset Ramadani.
Sipas prokurorit, shitësi është thirrur nga numri i të pandehurit Atdhe Arifi.
Prokurori Abdurrahim Islami këto pretendime është duke i shoqëruar me fotografi, në të cilat sipas tij shihen të akuzuarit.
Më tej, prokurori tha se të akuzuarit ndërmorën masat preventive për të kryer veprën për të cilën akuzohen.
“Telefoni i blerë është përdorur vetëm për një email. Po ashtu edhe mbushja e motoçikleta për të mos mbetur asnjë provë, por nuk ia kanë dalë”, tha prokurori.
Prokurori i Prokurorisë Speciale tha po ashtu se në asnjë moment nuk qëndrojnë pretendimet e të akuzuarve për rast politik.
Prokuroria në këtë rast nuk ka pasur asnjëherë mëdyshje dhe faktet që i përmenda më lartë si motoçikleta, telefoni dhe dëshmitarët tregojnë se të akuzuarit janë përgjegjës për veprën që u vihet në barrë andaj propozoj Gjykatës që të marrë aktgjykim dënues dhe t’i dënojë në pajtim me dispozitat në fuqi.
Në seancën e kaluar, prokurori Islami e kishte pranuar se ekspertizat dhe provat nuk i ndërlidhin direkt të akuzuarit me sulmin kundër Kuvendit.
Në këtë rast, të akuzuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës janë Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi.
Katër aktivistët e Vetëvendosjes akuzohen për sulmin e kryer në gusht të vitit 2016.
Të katër të akuzuarit e këtij rasti ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 shkurt të këtij viti ndërsa aktakuzën e kishin quajtur politike ndërsa kërkesat e tyre për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës ishin refuzuar nga Gjykata Themelore. /kallxo.com