Komandanti i Stacionit të Policisë në Lipjan dhe prokurori i Prokuorisë së Krimeve të Rënda në Prishtinë, kanë dhënë detaje për vrasjen e një të riu sonte në një lokal në Lipjan, ku ishte duke punuar viktima.
Komandant i Policisë në Lipjan, Driton Imeri, ka thënë se vrasja e personit është lajmëruar nga të afërmit sepse nuk po përgjigjej në telefon.
Sipas tij, pasi që Policia ka arritur në vend të ngjarjes viktimën e ka gjetur pa shenja jete prapa banakut në lokal.
“Rreth orës 20:10 stacioni policor në Lipjan e ka pranuar një telefonatë se punëtori që ka qenë duke punuar në këtë lokal nuk po lajmërohet në telefon. Njësitet policore iu kanë përgjigjur thirrjes dhe së bashku me sigurimin e kanë parë që dera e hyrjes së lokalit nuk hapej dhe nuk kanë mundur të hyjnë brenda. Me forcë e kanë hapur derën dhe brenda në lokal prapa shankut e kanë gjetur një person të shtrirë në tokë pa shenja jete, e konfirmuar pastaj nga mjeku kujdestar. Menjëherë janë thirrur të gjitha njësit relevante. Personi që ka humbur jetën është i gjinisë mashkullore rreth 30 vjeçar”, ka thënë komandanti i Policisë, raporton Telegrafi.
Prokurori kujdestar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Prishtinë, Armend Hamiti, ka folur për vrasjen e një personi në një lokal në Lipjan.
Hamiti ka thënë se për momentin janë shpërndarë njësitet në teren për ta identifikuar personin që ka kryer vrasjen.
“Vdekja është e dhunshme. Tani janë shpërndarë njësitet policore në teren që të identifikohet personi emri i të cilit nuk dihet, por që shihet pak në kamerë. Nëse ka nevojë ndihma e qytetarëve, ne do t’ iu drejtohemi mediave. Kualifikimi i parë për rastin është grabitje me pasojë vdekjen”, ka thënë prokurori, duke mos dhënë detaje të tjera.
Ndryshe rreth orës 20:00 Policia ka marrë informatën se në një lokal në rrugën “Bajram Gashi” në Lipjan gjendet një person pa shenja jete. Sipas Policisë së Kosovës, personi është mashkull 36 vjeç./Telegrafi/.