Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha ka thënë se jo të gjithë personat e dyshuar janë arrestuar në aksionin e sotëm të Policisë, por ka thënë se pret që të arrestohen edhe ata.
“Për fat të keq jo të gjithë janë arrestuar, por ne e vlerësojmë si sukses, duke pasur parasysh numrin e madh të dyshuarve dhe pjesën ku është dashur të veprojnë Polica sot. Por presim, nuk heqim dorë edhe për personat që sot Policia nuk i ka hasur”, ka thënë Hoxha, për RTK.
“Operacioni i Policisë ka përfunduar, përndryshe hetimet vazhdojnë. Hetuesit e këtij rasti vazhdojnë me grumbullimin e provave. Hetimet janë në vlugun më të madh. Tash e kemi më të lehtë, sepse jemi në një fazë më përfundimtare, më afër realitetit”, tha ai.
Ndërkaq Miradije Kelmendi, kryeshefe e Inspektoratit Policor, ka thënë se veprimi i sotëm nuk është i drejtuar vetëm ndaj një komuniteti etnik.
“Bastisjet janë kryer në disa lokacione dhe jo vetëm në katër komuna të Kosovës. Kemi të arrestuar njëmbëdhjetë zyrtarë policore të nacionalitetit serbë, katër boshnjakë dhe katër shqiptarë”, ka theksuar ajo.