Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha ka konfirmuar se gazetari serb Stefan Cvetkoviq do të intervistohet ditëve në vijim në lidhje me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq në janar të këtij viti në veri të Kosovës.
Në një prononcim për KALLXO.com, prokuroria Hoxha ka thënë se ka pranuar informacione nga hetuesit e tij se Cvetkoviq është në Kosovë dhe dëshiron të jap deklaratën tij.
“Po unë kam pranuar informacione nga hetuesit e mi se gazetari serbë është në Kosovë dhe ne ditëve në vijim do ta intervistojmë atë në cilësi të dëshmitarit”, tha Hoxha.
Hoxha tha se Cvetkoviq është paraqitur vetë për të dhënë informacionet e tij në lidhje me këtë vrasje ndërsa tha se deri më tani janë dëgjuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve.
Lideri i SDP-së Oliver Ivanoviq vdiq në Spitalin e Mitrovicës pasi ishte qëlluar më 18 janar 2018 me disa plumba teksa po dilte në zyrën e tij.
Hetimin e këtij rasti që nga muaji mars i këtij viti e mori përsipër Prokuroria Speciale e Kosovës.
Gazetari Cvetkoviq kohën e fundit ishte krye lajm i ditës pasi që u rrëmbye nga persona deri tash të panjohur për tu gjetur disa ditë më vonë nga Policia e Serbisë.