Telegrafi

Projektligji i ri për KPM-në, Bislimi thotë se rritet transparenca e pronësisë së mediave

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është duke raportuar në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media lidhur me Projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media, gjersa tha se ky projektligj është në përputhje me direktivat evropiane dhe se me të do të rritet transparenca e pronësisë së mediave.

Bislimi tha se ky projektligj ka 60 nene dhe ka për qëllim t’i jap përgjegjësi KPM të mbikëqyrë dhe sigurojë transmetimin e programeve cilësore në dobi të interesit të përgjithshëm, raporton Telegrafi.

Sipas tij, televizionet dhe platformat e ndryshme me përmbajtje audio-vizuele kanë audiencë të përbashkët dhe është e pashmangshme të sigurojnë një mjedis konkurrues që bazohet në rregulla të qarta dhe u garanton mundësi të barabarta.

“Pra, kushtet e njëjta për secilin ofrues të shërbimeve mediale kushte këto që caktohen nga një organ i pavarur kushtetues dhe larg nga çfarëdo ndikimi politik”, tha ai.

Bislimi tha më tej se nisur nga ndikimi i jashtëzakonshëm që kanë televizionet, por edhe platformat me përmbajtje audio-vizuele te publiku, duke ndikuar në formimin e opinionit publik, e në veçanti tek gjeneratat e reja është e qartë se duhet të krijohen rregulla që mbrojnë të miturit dhe fëmijët, që sigurojnë menaxhim të standardizuar, që sigurojnë transparencë pronësore të mediave dhe më e rëndësishmja një datatabazë të mediave që operojnë në treg. /Telegrafi/