Telegrafi

Projektligji për KPM-në, OSBE dhe BE kërkojnë më shumë punë për harmonizimin e tij

Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, kanë mirëpritur opinioni ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës (KE) mbi projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

“Ne mbështesim qëllimin e Projektligjit për të harmonizuar legjislacionin e Kosovës me dispozitat përkatëse të BE-së, duke përfshirë Direktivën për Shërbimet Audio-vizuale”, thuhet  në njoftimin për media.

Më tej në njoftim thuhet se siç thekson raporti i KE-së, nevojitet më shumë punë mbi Projektligjin për të siguruar që ai as të mos minojë pavarësinë e KPM-së, as të krijojë mospërputhje ligjore.

“Ne rekomandojmë që Komisioni për Administratën Publike, Qeverisjen Lokale dhe Mediat i Kuvendit të lejojë kohë për shqyrtimin e duhur të raportit dhe konsultimin me aktorët e sektorit të mediave, në mënyrë që rekomandimet e tij të reflektohen më pas në një draft të ri”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës në mars ka miratuar në lexim të parë Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Projektligji mori mbështetjen e 61 prej 62 deputetëve të pranishëm në seancë, mjaftueshëm sa për ta kaluar pengesën e parë.

Ai duhet të votohet edhe në lexim të dytë në Kuvend, para se të bëhet ligj.

Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale. /Telegrafi/