Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë sot është duke u ballafaquar në Gjykatën Themelore në Prishtinë me Ndërmarrjen Banesore Publike.
Përmes kësaj seance gjyqësore, Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë po kërkon të vendoset masat e përkohshme për projektin e ndërtimit të objektit afaristo-banesor në lagjen “Lakrishte”.
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi ka thënë se më në fund kanë marrë thirrjen për caktimin e masës ndaj padie.
“Kemi marrë më në fund thirrjen për caktimin e masës ndaj padisë dhe kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme për projektin jashtëzakonisht të dyshimtë që tash e sa kohë është iniciuar të ndërtohet në lagjen Lakrishtë nga Ndërmarrja Publike Banesore… Prej 1 viti jemi dëshmitarë të përpjekjes për grabitjen e 17 mijë metrave katror, hapësirë publike në qendër të kryeqytetit kjo pronë e qytetarëve është vendosur në shënjestër të mafies dhe pastrimit të parasë falë ndërtimeve të paligjshme të ish-Bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore përmes kryeshefit, Hajdar Hoxha dhe tolerimit dhe mosbashkëpunimit të ish-kryetarit të komunës dhe ish-drejtorëve të tij. Të gjithë këta tentuan që t’ua falnin kompanive private dhe atyre që qëndrojnë pas tyre e që aplikuan në një shpallje ku nuk pati as kushte ndërtimore”, tha ai, përcjell KP.
Ai ka kërkuar nga iniciuesit të këtij projekti dhe atyre që i mbështesin që të mos ndërhyjnë gjatë fazës së hetimit, duke i paralajmëruar se në të kundërtën nuk do të rrinë duarkryq.
“Shumë kohë pasi u zgjodh fituesi me shumë gjasë u kuptua se bëhet fjalë për projektin më gjigant të sipërmarrjen dhe Prishtinë sa i takon banimit projekt ky që kap vlerën rreth 200 milionë euro. ‘Meid gruop constration’ u regjistrua në ARBK në emër të Drilon Buzukut para se të hapej shpallja vetëm 1 ditë para se të aplikonte dhe të fitonte. Bedri Buzuku pronar i kompanisë ‘Meid Kost’ është babi i Drilon Buzukut përveç tyre në konsorciumin fitues u bashkua edhe kompania Ar-Kos me pronar Avdi Mazreku dhe Visar Tahiri gjithashtu duhet thënë se pas këtij projekti është edhe Memli Pajazii afërt me politikanë të partive të vjetra që janë shumë të interesuara për këtë projekt… Ky projekt dhe iniciuesit e tij tashmë janë zyrtarisht duke u hetuar, prandaj iu bëjmë thirrje iniciuesve të këtij projekti, atyre që po i mbrojnë dhe mbështesin, atyre që po provojnë të ndërhyjnë edhe në sistemin e drejtësisë që mos të provojnë t’i prekin provat e mos të provojnë t’i prekin njerëzit që po tentojmë ta zbardhin këtë rast. Sepse iu garantojmë se nuk do të rrimë duarkryq”, tha ai.
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla tha se u deshën 71 ditë që Gjykata Themelore në Prishtinë të thërras seancën që mbron 17 mijë metra katror.
Ai tha se për këtë projekt nuk është lejuar të flitet.
“U deshën plot 71 ditë që Gjykata të mbajë seancën që do të mbrohen 17 mijë metra katror pronë publike sot më në fund do të zhvillohet seanca nën udhëheqjen e gjyqtarit, Dardan Kadolli i cili ka përgjegjësi të jap fjalën finale për këtë rast kaq të ndjeshëm. 17 mijë metra katror pasuri publike janë në rrezik dhe pas kësaj po vazhdon heshtja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama që paraprakisht këtë ndërmarrje ia la nën kujdesi aksionarëve të PDK-së”, tha ai.