Site icon Telegrafi

Projekti GROW – mundësi për kursimin e energjisë elektrike përmes instalimit të pajisjeve solare

Projekti Green Recovery and Opportunity Window (GROW) është një mundësi për kursimin e energjisë elektrike, përmes investimit në efiçiencë, veçanërisht për bizneset në Kosovë.

Kështu tregon Burim Hashani, drejtor për Energji në Fondacionin e Mijëvjeçarit të Kosovës (MFK), i cili shton se kjo bëhet për gjenerimin e rrymës nga energjia solare.

“Qëllimi i këtij projekti është investimi në energji të ripërtërishme në efiçiencë, të energjisë nga bizneset kosovare. Këtu përfshihen dy lloje të bizneseve: ato që përdorin për gjenerim dhe prodhim të energjisë elektrike me energji solare si dhe ato që dëshirojnë të vendosin panele solare në çatitë e tyre, apo edhe masa të tjera të efiçiencës”, tha Hashani për Telegrafin.

Ai thekson se projekti gjithashtu do të ofron përkrahjen për qasje në financime.

Rritja e investimeve do të bëhet nga projekti ynë edhe përkrahja gjithashtu, për të pasur qasje më të lehtë në financime. Kjo sepse duke ditur, nga më herët që qasja e bizneseve në financa ka qenë shumë e vështirë edhe për shkak të mos njohurive të bankave për këto projekte, por edhe për shkak të mos përvojës nga sektori privat për të investuar në këto projekte. Andaj, ne përmes përkrahjes teknike jemi duke e bërë një farë udhëzimi në lidhje ose ndërmjetësimi të dy palëve, pra të aspektit të energjisë dhe të financave, në mënyrë që të rriten investimet në këta sektorë”, thekson ai.

Sipas Hashanit, rritja e çmimit të energjisë në këto momente është fat në fatkeqësi. Kjo pasi, sipas tij, janë hapur rrugët për investime në energji të ripërtërishme ku faturat e rrymës, mund t’i kompensojnë për ta zgjeruar biznesin e tyre.

 Burim Hashani, drejtor për Energji në MFK

“Edhe pse është fatkeqësi kjo rritja e çmimit të energjisë. Për projektit dhe nxitjes së investimeve është një gjë shumë e mirë, i stimulon investimet në këtë drejtim për shkak se e ulë koston e bizneseve për energjinë elektrike, duke e instaluar për vetë konsum panelet solare, iu bije kosto e faturës mujore të bizneseve. Në mënyrë që kursimet nga ajo kosto që do të kishin paguar për KEDS-in apo KESCO-n, tani do të investojnë për rritjen e biznesit të tyre. Ne kemi konsulencë të rangut botërorë Tetratech, firma amerikane më e madhja e cila e bënë direkt ndihmën teknike ndaj bizneseve kokë më kokë”, shprehet Hashani.

Me projektin GROW, ai thotë se janë hapur rrugët për investime në energji të ripërtërishme sepse faturat e rrymës, mund t’i kompensojnë për ta zgjeruar biznesin e tyre.

“Kjo shkon direkt dhe i përgatit ata si t’i bëjnë këto investime dhe t’ua bëjë kalkulimet financiare dhe teknike, bënë përshtatje të ndryshme që rata mujore nga kredia të cilën e marrin nga banka, të jetë aq sa e kanë pasur faturën mujore të rrymës. Në mënyrë që të mos shpenzojnë ekstra për këto investime. Për 5 ose 6 vjet ta kryejnë këstin e kredisë pastaj për 20 vjet deri 25 vjet do t’i shohin përfitimet e pastra për bizneset nga kursimi i shpenzimeve të energjisë”, thotë ai.

Për ta pasur më të lehtë qasjen, Hashani fton bizneset që të kyçen edhe në faqen zyrtare të MFK-së.

“Oferta e asistencës teknike është e hapur tani në faqen tonë growkosovo.com, aty mund ta shohësh formularin e shprehjes së interesit, vetëm informata bazike mund vetëm të bëjnë kërkesën. Pastaj ne e kontaktojnë për t’u qasur, për t’i parë nevojat e tyre. Deri tani është shprehur një interes i madh. Kemi kontaktuar, kemi mbajtur punëtori të shumta me odat e bizneseve dhe me bankat kosovare, të cilët i kanë ftuar klientët e tyre. Kurse tani është duke vazhduar puna në mënyrë individuale. Brenda pak muajsh pritet që të shkojë deri në rreth 100 biznese së paku që do të aplikojnë për biznese të tilla nëpër bankat e vendit”, theksoi Hashani.

Ai po ashtu tha se tani pas punës së MFK-së, bankat në vend iu garantojnë deri në 50 për qind investime në energji të ripërtërishme.

“Për të krijuar një model të qëndrueshëm, është duke u punuar me institucione vendore të cilat do të vazhdojnë edhe pas MFK-së, të japin investime në këtë fushë ndaj puna me bankat ka identifikuar edhe një nevojë që bankat i kanë parë disa investime të tilla, si të rrezikshme dhe jo rentabile. Andaj ne jemi duke punuar me Fondin Garantues të Kredive (FGK), për t’ia krijuar një dritare të re të energjisë. Tash banka e garanton 50 për qind të riskut, për çdo kredi me investime nga bizneset në energji të ripërtërishme ose efiçiencë”, njofton ai.

Në bazë të bashkëpunimit mes MFK-së dhe FGK-së në Kosovës, tani pritet që 30 milionë euro investime të lirohen deri në 2 ose 3 vitet e ardhshme.

“Bankat shumë më lehtë e jep kredinë tash, për ato investime sepse kanë një garanci nga FGK, përmes dritares së energjisë të cilën e kemi krijuar bashkërisht. Në këtë mënyrë pritet që 10 milionë kapital që veç e ka FGK-ja, të kanalizohen dhe të lirohen investime prej 30 milionë euro, për rreth 2-3 vitet e ardhshme. Ky është një investim mjaft i madh dhe lehtësimi i qasjes në financa. 30 milionë euro deri në 40 milionë euro në 4-5 vitet e ardhshme do të behën investime në çati solare dhe në prodhim të energjisë elektrike përmes paneleve solare dhe masa të tjera të efiçiencës nga bizneset kosovare”, përfundoi Hashani. /Telegrafi/

Exit mobile version