Site icon Telegrafi

Projektbuxheti teston Qeverinë dhe rrezikon marrëveshjen me FMN

Bllokada e punës së Kuvendit mund të çojë në prishjen e marrëveshjes “stand-by” mes Kosovës dhe Fondit Monetar ndërkombëtar. Nëse Kuvendi i Kosovës dështon të votojë buxhetin deri në fund të javës së parë të dhjetorit, prishja e marrëveshjes me FMN-në është opsion i mundshëm.

E gjasat që buxheti të miratohet janë të vogla, duke e marrë parasysh faktin që partitë opozitare kanë paralajmëruar bllokim të punës së Kuvendit kur në seancë parashihet të debatohet e të votohet për Projektbuxhetin e 2016-s.

Projektligji i Buxhetit të vitit 2016 është proceduar për seancën plenare të Kuvendit të Kosovës për lexim të parë. Pastaj, sipas procedurës, projektligji kthehet për diskutim nëpër komisione parlamentare për t’u votuar në lexim të dytë. Gjithë këto procedura duhet të përfundohen në javën e parë të muajit dhjetor. Ky afat lidhet direkt me mbledhjen e bordit ekzekutiv të FMN-së, që do të mbahet në mesin e muajit dhjetor e i cili duhet të votojë për rivlerësimin e marrëveshjes, shkruan sot “Koha Ditore”.

Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave, tregon se misioni i fundit i FMN-së gjatë qëndrimit në Kosovë ka kërkuar që buxheti të miratohet një javë para se të mbahet mbledhje ekzekutive e FMN-së, e caktuar të mbahet në mes të muajit dhjetor.

Ai tha se gjithë liderët e institucioneve janë zotuar që do të mundësojnë që ligji të votohet në kohë. /Telegrafi/

Exit mobile version