Lidhja Demokratike e Kosovës për dy ditë radhazi ka mbledhur akterët kryesorë të partisë për finalizimin e programit “Rruga e Re”, ndërkaq programi i cili ka 30 kapituj do të prezantohet në siç u tha në një Konventë të madhe.
Lidhur me programin “Rruga e Re” një ditë më parë është deklaruar edhe kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se programi politik i partisë së tij është drejt finalizimit dhe shtron hapur vizionin e LDK-së për “shërimin e polarizimit shoqëror që ka ngufatur vendin tonë”.
“Gjatë dy ditëve të fundit qëndruam bashkë me bartësit e ekipeve programore për të finalizuar rrugëtimin e ri që i duhet vendit tonë. ‘Rruga e re’ shtron hapur vizionin tonë për shërimin e polarizimit shoqëror që ka ngufatur vendin tonë tash e sa kohë; projekton rikthimin në fundamentet shtetare të Republikës – ato të lirisë e jo frikës, demokracisë e jo persekutimit, integrimit euroatlantik e jo izolimit”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai tutje ka bërë të ditur se ky program ka mbi 30 kapituj dhe do të ofrojë alternativa për zhvillim në çdo sektor”.
“Si program zhvillimor, puro zhvillimor, i mbështetur në ideologjinë e qendrës së djathtë, ‘Rruga e Re’ do të ofrojë jo vetëm projekte e nisma të mëdha, por dhe ide të domosdoshme të formësimit tonë shtetëror në dekadën në vijim. Për këtë jemi entuziastë të gjithë”
“Falënderoj secilin profesionist që ka kontribuar e po kontribuon në këtë program tash e sa kohë. Puna e tyre e madhe po kulmon në një rrugëtim të ri për Kosovën. Falënderojë dhe gjithë akterët jashtëpartiak që me diskutime të hapura kanë bashkëdefinuar sfidat e Republikës”, është shprehur Abdixhiku.
“U jemi mirënjohës intelektualëve, gazetarëve, ligjëruesve, diplomatëve, aktivistëve të shoqërisë civile e sektorit privat që me ide e pjesëmarrje në takimet tona kanë formësuar këtë rrugëtim. Në kohën e publikimit të programit – në një Konventë të madhe programore – dhe pas saj, jemi të interesuar të marrim dhe komente e sugjerime tjera. Ato veçse na pasurojnë, edhe në raste të mospajtimit përmbajtjesor”.
“Cinizmin e cinikët, në thatësinë e mendimeve, do t’i lëmë në një anë. S’kemi kohë të humbasim. Është koha të flasim për ide e projekte konkrete. Është koha të bëjmë kapërcimin e madh dhe në politikë dhe në diskutime publike jashtë saj. Urrejtja e popullizmit s’dallon fundja nga cinizmi. Të dyja janë boshe – e kjo shoqëri mundet më shumë se kaq. ‘Rruga e Re’ është zgjidhja. Ju ftojë ta përcillni shpalosjen tonë në çdo hap”, ka përfunduar ai.
Po të mërkurën deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka shpalosur ambiciet e tij për ta udhëhequr partinë, duke thënë se po e mendon mundësinë për të garuar për të parin e partisë.
“Jam duke u menduar. Nuk kam vendosur të garoj ende, por nuk kam vendosur as të mos garoj. Ende jam duke e menduar”, është shprehur deputeti në T7, teksa është pyetur nëse ka ambicie për të garuar për kryetar të LDK-së.
“Nuk e kam vendosur ende, sepse nuk mund ta vendosi pa u krye zgjedhjet në degë, e mandej të caktohet Kuvendi”, ka thënë tutje ai.
Hoti është pyetur edhe për raportet me Abdixhikun dhe nëse e mbështet atë për kryetar të partisë.
Ai ka mohuar se ka hatërmbetje mes tyre, ndërsa ka shtuar se debati i brendshëm në LDK lë për të dëshiruar.
“Nuk do e kisha interpretuar me hatërmbetje. Ai e ka punën e tij dhe e ka për detyrë që të menaxhojë partinë, politikat e brendshme të partisë dhe të grupit parlamentar, të arrijë harmonizimet e brendshme në vendimmarrjen e partisë, e cila gjë mund të them se lë për të dëshiruar. Pra, debate i brendshëm që duhet të kemi në mënyrë që të vijmë deri te qëndrimet që mbajmë si grup parlamentar”.
Deputeti Hoti ka përmendur më tej bagazhin e tij shumëvjeçar që ka nëpër institucionet e vendit.
“Nuk mund të flas për veten, por besoj që jam ndër deputetet më të zëshëm, në përputhje me orientimet që i ka LDK-ja…Jam person që kam pasur funksione në të gjitha pozitat”, ka thënë ai.
Gjithsesi sa i përket çështjes për paraqitjen e kandidaturës për kryetar të partisë, Hoti ka deklaruar se “është obligim i secilit anëtar ta respektojë statutin e LDK-së”. /Telegrafi/