Site icon Telegrafi

Programi i PDK-së për zhvillim dhe paga të dinjitetshme, Isak Shabani: Kërkesat e qytetarëve do t’i kemi prioritet

Fushata zgjedhore po bëhet çdo ditë e më dinamike, duke pas parasysh edhe ditët e fundit që po i afrohen 9 shkurtit, e partitë politike janë të angazhuara për të paraqitur programet e tyre dhe për të fituar besimin e qytetarëve, duke u fokusuar në nevojat dhe kërkesat që kanë qytetarët. 

Në kuadër të kësaj, Telegrafi zhvilloi një intervistë me kandidatin për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Isak Shabani, i cili mban numrin 32 në listën zgjedhore të PDK-së.

Shabani, i cili është edhe kryetar i degës së PDK-së në Podujevë, ka pasur mundësinë të takohet dhe të bisedojë me qytetarët nëpër qytete dhe fshatra.

Ai gjatë intervistës ndau disa prej përvojave dhe reflektimeve mbi prioritetet e PDK-së dhe kërkesat e qytetarëve.

Isak Shabani, kandidat për deputet nga PDK /Foto: Ridvan Slivova/

Shabani e nisi këtë intervistë me një thënie të një qytetari të moshuar, që ka pasur një ndikim tek ai.

“Po e filloj këtë intervistë me një thënie të një qytetari të moshuar: Në momentin kur kam kryer fjalën ka kërkuar ta marr fjalën dhe më tha: ‘Të gjitha gjërat që i ke thënë janë sakta, por nuk e the atë që duhet’. Edhe kureshtja ime me ditë se çka ishte ajo që duhej unë ta them, më tha: ‘Pse nuk ju the këtyre të pranishmeve, që kjo që e thash është për të gjithë ju’. Domethënë, sipas tij ‘të gjithë e keni për vete’ ”, tha Shabani.

Shabani e përshkruan Hamzën si një figurë udhëheqëse që ia ka kushtuar jetën mirëqenies së qytetarëve dhe beson se ky program është një nga më të mirët që ka pasur ndonjëherë Kosova.

“Nëse duam mirëqenie, zhvillim ekonomik, paga të dinjitetshme, arsim cilësor, shëndetësi, shëndetësi me sigurime shëndetësore funksionale, nëse duam të kemi pritje të pacientëve në listën e pritjes, me pas barna për sëmundjet që janë kanceroze edhe të gjitha ato, besoj që është një personalitet që këtë do ta dëshmoj edhe vetë. Fjala e atij të moshuarit, atij plakut, ka qenë domethënëse që është për të mirën e të gjithëve, me qenë kryeministër Bedri Hamza”, tha Shabani.

Për Shabanin, prioritetet e PDK-së janë të orientuara në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve, të cilët kërkojnë përmirësim të kushteve ekonomike dhe një shërbim shëndetësor të sigurt.

Kandidati për deputet, Shabani flet për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe të përkushtuar ndaj qytetarëve.

Ai thekson se për të qytetari është gjithmonë prioritet dhe është i gatshëm të punojë pa ndalur për të përmbushur nevojat dhe kërkesat e tyre.

Shabani tregon se qytetarët janë shumë të shqetësuar nga inflacioni dhe rritja e çmimeve.

Siç tha ai, qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete për të luftuar këtë situatë dhe për të krijuar mundësi për një jetë më të mirë.

E, PDK-ja, sipas Shabanit, synon të ndalë këtë inflacion dhe të krijojë mundësi për zhvillim ekonomik dhe paga dinjitetshme për të gjithë qytetarët.

“Çmimet janë shumë të rritura dhe njerëzit janë të interesuar se kush është ai që mundet me e stopu këtë inflacion, këto rritje të çmimeve, kush mundet me krijua mirëqenie te qytetarët e mbi të gjitha, që është më e rëndësishme ‘funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore’. E kemi obligim për rininë tonë të mrekullueshme. Me i krijua kushtet dhe hapësirë që të mundemi të jetojmë e të veprojmë, por për këtë normal duhet një njeri që i kupton problemet. Bedri Hamza, jo vetëm që ka udhëtuar dhe ka marrë mendimet e gjithë qytetarëve të Kosovës, por ka dalë edhe në diasporë, ku ka marrë mendimet e tyre. Prandaj, duke u bazuar në kërkesat e qytetarëve, ky e ka bërë një program…”, theksoi Shabani.

Po ashtu ai tha se PDK-ja ka bërë premtime për të investuar në arsim dhe shëndetësi, duke përfshirë rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e punonjësve, veçanërisht për ata që kanë kontribuar në luftën për liri dhe të drejtën e Kosovës.

“Me premtimet që i ka dhanë Bedri Hamza dhe në programin e tij, veteranët të cilët sot i marrin vetëm 170 euro do të kenë të drejtë me punu. D.m.th nuk humb Kosova, por mendoj që me Bedri Hamzën të gjitha këto janë të arritshme”.

Kandidati për deputet nga PDK, Isak Shabani gjatë intervistës për Telegrafin /Foto: Ridvan Slivova/

Kur pyetet për mundësinë e krijimit të një koalicioni pas zgjedhor, Shabani thekson se PDK-ja është e hapur për bashkëpunim me çdo forcë politike që ka një program të përbashkët dhe që ka synime të përbashkëta për të mirën e Kosovës.

Por pse qytetarët duhet të votojnë Isak Shabanin për deputet të Kuvendit të Kosovës, ai tha: “Që në fëmijëri mësova se dashuria për vendin nuk matet me fjalë, po me vepra.

Mësova se liria nuk dhurohet, por fitohet. Që nga ditët e para, kam qenë krah për krah me ata që sakrifikuan për lirinë tonë. Me komandantin Zahir Pajazitin ndamë jo vetëm një ideal, por edhe veprim konkret për çlirimin e Kosovës. Dhe mbi të gjithë, mësova se shërbimi ndaj njerëzve është më i shenjti nga të gjitha detyrat.

Në luftë dhashë betimin për Kosovën. Sot e mbaj atë betim çdo ditë, jo me luftë, po me punë e me përkushtim. Të jesh në shërbim të qytetarëve nuk është thjesht një detyrë, është një mision që buron nga zemra.

Është thirrja ime që nuk kam orar, nuk kam lodhje dhe nuk do të ndalem të jem në shërbim të qytetarëve sepse për mua qytetari është i shenjtë. Nuk premtoj mrekulli, premtoj punë, përkushtim dhe sinqeritet. Përkushtimi, ndaj qytetarëve nuk është fjalë, është jeta ime. Dhe për sa kohë që frymoj, do të jem aty ku populli më përcakton”. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version