Më datë 19 nëntor, do të shënohet një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore shqiptare.
Me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, me kërkesë të kreut të Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Dodaj, Papa Françesku do të takojë përfaqësues të popullit shqiptar në Vatikan.
Në orën 20:30, në teatrin “Argentina” të Romës, do të zhvillohet një koncert kombëtar, në të cilin do të performojnë artistët më të njohur të kombit, që kanë bërë krenarë shqiptarët me sukseset e tyre anë e mbanë botës.
Ermal Meta, Inva Mula, Olen Çezari, Ramë Lahaj, Genc Tukiçi, Eno Peçi, Elhaida Dani, Lorik Cana, Erza Muqolli dhe Dua Lipa janë emrat që do të performojnë në këtë koncert.
Të entuziazmuar për këtë koncert, disa nga artistët pjesëmarrës kanë shpalosur edhe planprogramin, duke treguar për këngët, të cilat do të interpretohen në këtë mbrëmje.
Ishte këngëtarja e njohur Elhaida Dani, dikur fituese e “The Voice of Italy”, ajo e cila publikoi në InstaStory listën e programit artistik, duke treguar se kush çfarë kënga do të interpretojë.
Mbrëmja nis me melodinë “Fantasia Argentina”, të interpretuar nga mjeshtri i muzikës, Genc Tukiçi.
E dyta me radhë është Elhaida Dani, e cila do të këndoj “Adogia”, gjersa pas saj vjen radha e tenorit kosovar me famë botërore, Ramë Lahaj, i cili do të këndojë këngën e famshme shqiptare “Rrjedh në këngë e ligjërime”.
Fubollisti i famshëm, Lorik Cana, është ai i cili më pas do të recitojë një poezi, duke vazhduar pastaj me tenoren me famë botërore, Inva Mula, e cila do të këndojë këngën e njohur të Vaçe Zelës, “Moj e bukura Arbëri”.
Olen Cesari është i radhës, që do të këndojë këngën “Ave Maria”, për të vazhduar më pas me shqiptarin e famshëm në Itali, Ermal Metën, fituesin e “Sanremos” dhe reprezentuesin e Italisë në “Eurovision 2018”. Ai do të këndojë këngën “Non mi evete fatto niente”, dhe programi vazhdon pastaj me Eno Peçin që do të interpretojë elegji.
E parafundit është këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, e cila do të këndojë para publikut këngën e famshme “Homesick”.
Koncerti mbyllet me më të voglën, por shumë të talentuarën, Erza Muçolli, e cila i ka bërë krenarë shqiptarët në spektaklin e talenteve “France got talent”. Ajo do të përmbyll koncertin me këngën e njohur “Hallelujah”.
Duket se kjo mbrëmje, do t’i bëjë edhe më krenarë shqiptarët, teksa emra të suksesshëm ndërkombëtarë nderojnë kujtimin e heroit më të madh shqiptar, Skënderbeu. /Telegrafi/