Site icon Telegrafi

Profili i Florent Hadergjonajt, prurjes së re të Kosovës

Foto: Getty Images

Florent Hadergjonaj është lojtari i fundit që i është bashkuar Përfaqësueses së Kosovës, ndërsa karriera e tij është për tu lakmuar.

Sot (e enjte) gjatë ditës mbrojtësi me prejardhje nga Deçani ka bërë zyrtar afrimin te Përfaqësuesja e Kosovës.

Hadergjonaj shfrytëzoi profilin e tij në rrjetet sociale për të treguar se ka kompletuar gjitha dokumentacionet dhe do t’i bashkohet Kosovës.

Lexo po ashtu Florent Hadergjonaj i bashkohet përfundimisht Kosovës: Jam një Dardan më shumë, gati për fanellën më të bukur në botë

Për shumë njohës të futbollit, Hadergjonaj është një emër i njohur, i cili mbulon krahun e djathtë, në veçanti atë të mbrojtjes, por më poshtë do t’u sjellim të dhëna rreth karrierës së tij.

24-vjeçari nga Kosova karrierën e nisi tek fëmijët e vendlindjes së tij Langlau, ndërsa pastaj kaloi tek grupmoshat e reja të FC Thun nga 2007-2010, te FC Luzern nga 2010-11 dhe Young Boys nga 2011-13, shkruan Telegrafi.

Hadergjonaj gjatë kohës te Young Boys (Foto: Philipp Schmidli/Getty Images/Guliver)

Tek Young Boys, Hadergjonaj kaloi nga ekipet zinxhir në ekipin e parë ku luajti për tri sezone, ku zhvilloi plot 86 ndeshje.

Paraqitjet e mira bënë që mbrojtësi i Kosovës të kalojë në nivelin më të lartë të futbollit gjerman, në Bundesliga, te skuadra Ingolstadt për pak më shumë se tre milionë euro, ku bëri 27 paraqitje dhe shënoi një gol.

Florenti gjatë një ndeshje në Bundesliga me fanellën e Ingolstadit

Pas një sezoni të kaluar në Bundesliga, Hadergjonaj bëri një hap të madh në karrierë duke nënshkruar me klubin nga Liga Premier, Huddersfield Town, ku fillimisht si i huazuar dhe pastaj u ble për 5.5 milionë euro dhe zhvilloi rreth 50 ndeshje, shkruan Telegrafi.

Hadergjonaj në duel me Robertonin e Liverpoolit (Photo/Getty Images/Guliver)

Hadergjonaj në fëmijëri u paraqit për grupmoshat e Zvicrës U-20 dhe U-21, ndërsa e zhvilloi edhe një ndeshje me ekipin e parë.

Mbrojtësi nga Deçani me fanellën e Zvicrës (Foto: Philipp Schmidli/Getty Images/Guliver)

Nga sot, djaloshi 24-vjeçar është i gatshëm për të mbrojtur ngjyrat e Kosovës dhe për t’i ndihmuar Dardanët rreth arritjes së qëllimit, kualifikimit në Euro 2020.

Çmimi i Hadergjonajt në faqen e specializuar të transferimeve Transfermarkt llogaritet 6.3 milionë funte apo 7.3 milionë euro.  /Telegrafi/  

 

Exit mobile version