Intervistoi: Aroma Aliti
Profesori i shkencave Arianit Reka ishte i intervistuari i radhës nga Telegrafi Maqedoni. Ai në këtë intervistë flet për përvojat e tij përgjatë rrugëtimit të karrierës dhe planet që ka në sjelljen e disa inovacioneve shkencore. Si një nga përvojat më të rëndësishme në profesionin e tij e llogaritën faktin që është përzgjedhur si bursisti i vetëm nga Maqedonia e Veriut në programin Fulbright në SHBA për vitin 2021/2022.
Arianiti momentalisht punon në fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe së bashku me disa studentë është duke kontribuar për sjelljen e disa ndryshime dhe inovacione shkencore.
Kush është Arianiti për ata që se njohin?
I lindur më 1980 në Gostivar, ku kam kryer shkollën fillore dhe të mesme. Me të mbaruar të mesmen, në vitin 1999 regjistrova studimet në fakultetin Teknologjik-metalurgjik në Shkup. Isha i vetmi shqiptar që u pranova në afatin e parë dhe atë i renditur në vendin e katërt prej njëqind e sa të regjistruarve. Po atë vit, u punësova në kampin e ushtrisë Amerikane – Bonsteel në Kosovë. Gati dy vite punova si përkthyes e më pas si analist i prokurimit deri në 2003. Nga 2003 e deri më 2006 punova në pozitën inspektor i cilësisë, e më pas edhe si menaxher i cilësisë për departamentin e shtetit Amerikan (DCMA). Gjatë kësaj periudhe diplomova dhe fitova titullin profesor i kimisë (USHT). Në vitin 2006 u punësova në Houston (SHBA) nga kompania amerikane KBR Inc. Nga 2006 deri në 2010 kam qëndruar në Lindjen e Mesme, i punësuar fillimisht si inspektor i lartë i cilësisë, drejtues – mbikëqyrës dhe në vitin e fundit si menaxher. Gjatë periudhës 2010-2016 kam qenë i angazhuar në punë të ndryshme me orar të pjesshëm: konsulent për cilësi në Ecolog, shef kabineti në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, IPA projekt, profesor i kimisë në kolegj, asistent në UT, dhe projekte të tjera. Në vitin 2012 kreva studimet e ciklit të dytë (magjistraturës) në fakultetin Teknologjik-metalurgjik në Shkup, ndërsa në vitin 2016 kreva studimet e doktoratës në të njëjtin fakultet. Në shtator të vitit 2016 u punësova në fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (UT) ku ende punoj. Arianiti është një 42 vjeçar me 24 vjet përvojë pune.
Sipas Arianitit në vendin tonë mungojnë kushtet e nevojshme për zhvillime të reja shkencore, mungojnë investimet në pajisjet laboratorike. Ai shton dhe faktin se këtu njerëzit e duhur duhet të jenë në pozitat e duhura.
Nga fakti që keni qëndruar në SHBA në Universitetin e Misurit si bursist, çka mendoni se i mungon vendit tonë duke bërë krahasimin?
Po në vitin 2021 kam fituar bursën prestigjioze Flubright të qeverisë amerikane dhe kam qëndruar për 10 muaj në Universitetin e Misurit për Shkencë dhe Teknologji. Mund të them se vendit tonë i mungon shkenca por nuk i mungojnë shkencëtarët. Kur them i mungon shkenca, e kam për investimet në shkencë. Kemi institucione që nuk plotësojnë as minimumin e nevojshëm për të pasur kushte për zhvillimin e shkencës. Sa për ilustrim, gjatë qëndrimit tim në SHBA, për 2 muaj punë laboratorike arritëm të publikojmë një punim shkencor në një prej revistave më prestigjioze botërore për materialet ndërtimore. Një diçka e tillë te ne është e pamundshme. Mungojnë investimet në shkencë dhe në pajisje laboratorike, çka është më e keqja mungojnë strategjitë për të zhvilluar një infrastrukturë të tillë. Ajo që na mungon është që njerëzit e duhur të jenë në pozitat e duhura. Njerëz që kuptojnë shkencën, arsimin dhe ndërlidhjen ndërmjet tyre. Për shkencë duhet të flasin njerëzit që bëjnë shkencë të rangut botëror. Nga ana tjetër, ajo që nuk na mungon është rinia. Kemi një rini të mrekullueshme me shumë potencial. Atyre nuk u mungon energjia, vetëm u duhet motivimi dhe mundësia që edhe ata të zhvillohen profesionalisht.
Cila është një prej eksperiencave më të rëndësishme në lidhje me profesionin tuaj dhe pse?
Për atë që merret me shkencë, çdo projekt shkencor është i rëndësishëm dhe i çmueshëm. Por përvoja e të qënurit bursist – post doktorant i programit Fulbright është kulmi i suksesit të një shkencëtari, rrjedhimisht edhe përvoja më e rëndësishme në profesionin tim. Të jesh i përzgjedhuri i vetëm nga Maqedonia e Veriut për vitin akademik 2021/2022 është një ndjenjë e veçantë që të plotëson. Pse? Meqë këtë nuk mund ta bën vetëm se ai ose ajo që e meriton. Shihni, në SHBA mund të shkon çdonjëri si turist. Mund të shkojnë edhe politikanët tanë, mund të shkojnë edhe udhëheqësit e institucioneve tona, por këtë mund ta bëjnë vetëm si vizitorë ose të shfrytëzojnë mundësitë zyrtare që kanë për 1 ose 2 javë ose 1 muaj. Kaq dhe jo më shumë. Asnjëri prej tyre nuk mund të shkojnë ose së paku nuk kanë shkuar bazuar në meritat personale të bazuara në aftësi. Vizitat e tyre janë rrethanore dhe jo të bazuara në suksesin e tyre. Një gjë tjetër e shkëlqyeshme është se të gjithë këto lëvizje dhe komunikime profesionale më kanë mundësuar të krijoj një rrjet të gjerë me profesionistë dhe shkencëtar nga rajoni dhe më gjerë, me të cilët së bashku aplikojmë në projekte të përbashkëta.
Profesori Reka tregon se së bashku me një grup studentësh janë duke kontribuar për të sjellë disa ndryshime të reja në shkencë, por sipas tij kjo do të marr shumë kohë nga shkaku i mungesës së kushteve në vend.
A keni ndonjë plan për të kontribuar në sjelljen e ndryshimeve në vendin tonë nga ajo që keni parë në SHBA?
Po, patjetër. Ndryshimi është një konstantë. Planin e kam bërë para se të kthehem nga SHBA-të. Dhe veç jam në hapat e para. Ndryshimi duhet të sillet në dy rrafshe. Në atë profesional-shkencorë dhe atë shoqëror. Në aspekt profesional-shkencorë, është një grup i studentëve me të cilët do nisim paralelisht një set të eksperimenteve për të provuar metoda të reja të përfitimit të materialeve ndërtimore termo-izoluese. Është një sfidë që do merr shumë kohë për kushtet që kemi, por e nisim me entuziazëm dhe besoj që do të arrijmë sukses. Po ashtu edhe në planin më të gjerë shoqëror. Edhe për këtë jam duke punuar, dhe synoj që kontributi im të sjellë ndryshimin që i duhet vendit. Por, edhe për këtë duhet kohë. Por, e mira është që jemi të vetëdijshëm se nuk merremi me vrapim të shpejtë, por me maratonë. Kështu që jemi duke u përgatitur.
Ndryshe, ai udhëzon rininë që të jenë gjithmonë të motivuar dhe të shfrytëzojnë çdo lloj mundësie që do tu jepet.
Ndonjë sugjerim për rininë?
Rinia duhet të ndjek zemrën por vendimet ti sjell me kokë. Çdo mundësi për zhvillim që u jepet duhet ta shfrytëzojnë. Më mirë të tërhiqesh prej një mundësie që të mërzit, se sa të kesh mërzinë që nuk ke provuar një mundësi.