Telegrafi

Profesori amerikan vendosi rekord të ri, po jeton nën ujë për më shumë se 74 ditë

Studiuesi dhe profesori amerikan vendosi një rekord të ri kur bëhet fjalë për jetën nën ujë.

Bëhet fjalë për profesor Joseph Diturin, i cili ka kaluar më shumë se 74 ditë nën ujë në një thellësi prej rreth nëntë metrash, transmeton Telegrafi.

Dituri e kaloi atë periudhë në një lagunë në Key Largo, Florida, por rekordi i tij nuk do të thotë se ai doli në sipërfaqe.

Përkundrazi, profesori synon të qëndrojë në habitatin e tij të quajtur Jules’ Undersea Lodge për të paktën 100 ditë.

“Kurioziteti për zbulimin më solli këtu. Qëllimi im që nga dita e parë është të frymëzoj brezat që do të vijnë, të intervistoj shkencëtarë që studiojnë jetën nën det dhe të mësojmë se si funksionon trupi i njeriut në mjedise ekstreme”, tha Dituri.

Rekordi i mëparshëm për qëndrimin më të gjatë nën ujë ishte 73 ditë, i vendosur nga dy profesorë në vitin 2014 në të njëjtin vend.

Ndryshe nga një nëndetëse, “kasollja” nuk përdor teknologji për të akomoduar presionin e rritur nënujor.

Dituri filloi misionin e tij shkencor më 1 mars dhe tani banon në një “dhomë” të vogël në fund të lagunës, duke studiuar se si trupi i njeriut reagon ndaj ekspozimit afatgjatë ndaj presionit ekstrem.

Shkencëtarët po studiojnë gjendjen shëndetësore të këtij 55-vjeçari si dhe efektet psikologjike të izolimit, dhe këtë po e bëjnë duke kryer një sërë analizash mjekësore.

Dituri shërbeu në Marinën Detare për 28 vite dhe edhe pse është nën ujë, ai jep leksione për studentët online. Ai zgjohet në orën 5:00 të mëngjesit çdo ditë dhe ushtron, ha ushqime të pasura me proteina si vezë dhe salmoni.

Ai i tha AP se mezi po pret të del në sipërfaqe, sepse i mungon më shumë dielli. /Telegrafi/