E intervistuar kësaj radhe nga Telegrafi Maqedoni ishte Arta Selmani, e cila përveç që është një profesoreshë e angazhuar universitare e së drejtës familjare ajo gjithashtu është aktive edhe në shumë lëmi të tjera. Një nga këto është edhe dëshira dhe vullneti i saj për të shkruar. Andaj sot, botimet e profesoreshës Arta jo vetëm që lexohen dhe pëlqehen nga njerëzit, gjithashtu ndihmojnë shumë të rinj të drejtimit të juridikut për mësime universitare dhe më shumë. Në këtë intervistë profesoresha Arta, tregon veçmas edhe për monografinë e botuar të profesoreshës dhe mikes së saj të ndjerë Emine Zendeli, ajo flet për emocionet, vështirësitë dhe përkrahjen që ka pasur në realizimin e kësaj dëshire të kamotshme të mikes së saj.
Një prezantim i shkurtër rreth vetes?
Arta Selmani-Bakiu profesoreshë inordinare e së Drejtës familjare dhe të Drejtës trashëgimore. E punësuar në Fakultetin juridik të Universitetit të Evropës juglindore që nga viti 2005 si asistente hulumtuese në Qendrën për hulumtime shkencore të Fakultetit juridik, më pastaj deri në vitin 2017 e punësuar si Këshilltare studentore, dhe nga viti 2018 deri në vitin 2023 docente në lëminë civile dhe atë familjare. Nga viti 2018 deri në vitin 2022 kam qenë edhe prodekane në Fakultetin juridik. Gjithashtu jam edhe koordinatore e Klinikës juridike “Emine Zendeli” e cila shërben për edukimin praktik të studentëve si dhe ofron ndihmë juridike pa pagesë për grupet e margjinalizuara në qytetin e Tetovës. Profilin tim akademik e plotëson publikimi i teksteve në revista rajonale dhe ndërkombëtare, në të cilat paraqiten rezultatet nga studimet dhe kërkimet e mia në lëminë e së drejtës familjare bashkëkohore. Në koautorësi me profesoreshën e ndjerë Emine Zendeli, profesorët Dejan Mickoviq dhe Angel Ristov kemi botuar librin universitar “E drejta familjare”. Sferë e ngushtë shkencore janë metodat e reja të reproduktimit artificial dhe impaktit të tyre në të drejtën familjare dhe atë prindërore andaj edhe kërkimet e mia kryesisht orientohen në lirinë reproduktive, planifikimin familjar dhe prindërinë, si dhe të drejtat e fëmijëve të lindur përmes metodave artificiale. Në vitin 2022 bashkë me koleget Besa Arifi, Vedije Ratkoceri, Albana Metaj-Stojanova dhe Ebru Ibish kemi publikuar përmbledhjen “Të drejtat e fëmijëve: sfidat dhe perspekivat e reja“, kapitulli im në këtë përmbledhje është Prindëria dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve të lindur përmes metodave të fekondimit të asistuar biomjekësor. Në proces është monografia “Të drejtat reproduktive nën kontekstin e së drejtës familjare dhe biomjekësisë“ si dhe teksti universitar “E drejta trashëgimore” në koautorësi me kolegët Dejan Mickoviq, Angel Ristov dhe Kaltrina Zekolli-Shaqiri. Aktualisht jam anëtare e komisionit për fekondim të asistuar biomjekësor pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Aktive në disa organizata joqeveritare si anëtare, opinoniste dhe ligjëruese.
Ju keni promovuar monografine e titulluar “Marrëdhëniet Juridike Pasurore të Bashkëshortëve”, çfarë mund të thoni rreth këtij libri dhe si ishin komentet e njerëzve?
Monografia “Marrëdhëniet juridike-pasurore të bashkëshortëve” është punë disa vjeçare e profesoreshës Emine Zendeli. Kjo monografi është botuar postmortem, nën editimin tim dhe recensimin e prof.dr Adnan Jashari dhe prof.dr Sami Mehmeti, ndërkaq botues është Universiteti i Evropës Juglindore. Në këtë monografi fillimisht jepet një vështrim i përgjithshëm mbi institucionin e pronësisë së përbashkët të bashkëshortëve, natyrën juridike të saj, historinë e zhvillimit, rëndësinë praktike bashkëkohore si dhe përkufizimi aktual të saj. Martesa është bashkësi jetësore, por njëkohësisht edhe bashkësi ekonomike, andaj edhe bashkëshortët në martesë krijojnë të mira materiale, por edhe sjellin të mira materiale të fituara më parë (pronësia e veçantë). Pronësia e përbashkët e bashkëshortëve është rezultat i jetës dhe punës së përbashkët bashkëshortore, prandaj është me rëndësi që të caktohet rrethi i të drejtave dhe detyrave të bashkëshortëve lidhur me te. Ajo nuk i takon asnjërit në veçanti, por që të dyve së bashku. Lidhur me këtë karakteristikë të pronësisë së përbashkët, në praktikë, mund të paraqiten qëndrime të ndryshme, kontradiktore lidhur me mënyrën se si duhet të administrohet dhe disponohet pronësia e përbashkët, dhe cilit nga bashkëshortët duhet t’i takojë ajo në rast të ndarjes. Profesoresha Emine në detaje ka hulumtuar pronësinë e përbashkët të bashkëshortëve martesorë dhe jashtëmartesorë si në të drejtën pozitive poashtu edhe në atë komparative, andaj kjo monografi është mirëpritur jo vetëm nga studentët dhe studiuesit e së drejtës, por edhe nga opinioni më i gjerë, kjo për arsye se këto informata të etablura në një tekst të vetëm paraqesin një minikodifikim të institutit të pronësisë së përbashkët në martesë si dhe ndarjes së saj e që tangon çdo pjesëtarë të shoqërisë.
Nga ju lindi ideja për të shkruar një libër si ky?
Publikimi i kësaj monografie ka qenë një dëshirë e kamotshme e profesoreshës së nderuar Emine Zendeli. Pas botimit të librit të përbashkët “E drejta familjare”, plani i radhës ishte botimi i një teksti universitar lidhur me marrëdhëniet juridike pasurore familjare, meqë profesoresha e kishte tanimë gati dorëshkrimin unë e pash të arsyeshme që të ndihmoj në realizimin e punës së saj, e që ajo fatkeqësisht nuk arriti ta bëj vet. Këtu dua të cek gjithashtu edhe përkrahjen e pakursyer të familjarëve të profesoreshës Emine, të cilët më besuan detyrën që këtë vepër t’ua ofrojmë studentëve, praktikantëve juridik dhe qytetarëve.
Sa ishte e vështirë për ju ta shkruani këtë libër duke pasur parasysh se ka qenë një bashkëpunim mes jush dhe mikes tuaj që sot nuk ndodhet mes nesh?
Në aspektin emotiv ka qenë shumë e vështirë, sa herë punoja në dorëshkrimin e profesoreshës ndjeja mungesën e saj. Mirëpo në aspektin teknik ka qenë shumë e lehtë, për shkak se profesoresha Emine i kishte tanimë të konceptuara komplet hulumtimet e saja, të njëjtat vetëm duheshe të rregullohen dhe të sistemohen në formë të librit. Këtu gjithsesi dua të falënderoj edhe recensentët prof.dr Adnan Jashari dhe prof.dr Sami Mehmeti si dhe të gjithë stafin e Fakultetit juridik të cilët aprovuan këtë monografi në formën e tekstit universitar. Ecuria drejtë publikimit të këtij teksti ka qenë një nder dhe njëkohësisht kënaqësi për mua, për shkak se profesoreshën Emine do ta kemi prezentë në punën dhe aktivitete tona përmes veprave madhore që ajo ka lënë pas vetes.
Si arrini të menaxhoni në të njëjtën kohë angazhimet si profesoreshë universitare, si aktiviste, autore dhe nënë, duke pasur sukses të panumërt?
Është shumë e vështirë, mirëpo kur ekziston dashuria për punën që bën, atëherë lodhja nuk ndjehet dhe aq. Studentët dhe Fakulteti juridik janë familja ime e dytë, ndërkaq UEJL shtëpia ime e dytë. Unë në këtë Universitet jam rritur dhe formësuar si personalitet dhe profesionist dhe ky Universitet ka realizuar ëndrrën time- punën me studentët. Puna në akademi është e lodhshme, por njëherit është edhe satisfaksion sepse përmes saj arrish të kontribuojsh për veten, familjen por edhe për shoqërinë. Jam nënë e dy fëmijëve Hektorit dhe Dorsës, dhe bashkëshorte e Bekim Bakiut. Gjatë ndërtimit të karrierës sime kam pasur përkrahjen e pakursyer të bashkëshortit tim, prindërve të mi dhe prindërve të Bekimit dhe ju jam falënderuese, kjo për arsye se ata kanë ndihmuar dhe nuk e kanë kursyer veten duke u përkujdesur për fëmijët. Mundohem që nga dita e strëngarkuar të ndaj kohë dhe të jem me fëmijët duke u bërë pjesë e aktiviteteve dhe mësimeve të tyre. Ata kanë pranuar intensitetin tim në punë dhe janë shumë vigjilent ndaj kohës sime jo aq të lirë dhe përkrahës ndaj aktiviteteve të mia. Mësimdhënia nuk njeh vikendet e lira madje donë angazhim edhe pas orës 16:00 kur zyrtarisht mbaron orari i plotë i punës, kështu që shpesh ndodhën që pas orës 21:00 pasi kam mbaruar me obligimet familjare të vazhdoj me punët e mia. Nuk jam tip i mëngjeseve, kështu që më tepër preferoj të rri deri në orët e vona të natës për të përfunduar punët e ditës së nesërme. Mësimdhënia nuk është proces statik dhe rutinor, andaj mundohem që studentëve vazhdimisht të ju sjell metoda të reja dhe inovative. Në lëndët të cilat i ligjëroj angazhohem maksimalisht të përdor mësimin interaktiv dhe debativ, pra të mësuarit përmes rasteve nga praktika gjyqësore e cila metodë është treguar shumë e suksesshme në drejtim të edukimit praktik të sudentëve si dhe zhvillimit të mendimit kritik dhe logjikës juridike. E gjithë këtë e bëj me shumë përkushtim dhe dashuri.
Përmes punës sime mundohem të jap kontribut edhe në shoqëri, andaj jam aktive me paraqitjet, deklaratat dhe shkrimet e mia përmes mediave televizive dhe atyre të shkruara. Kur kam hapësirë dhe kohë iu bashkohem edhe kauzave shoqërore të orientuara për barazinë gjinore, mosdkriminimin, luftën kundër dhunës me bazë gjinore si dhe mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve.
Më pëlqen shumë leximi, insistoj që në fund të ditës, të gjej hapësirë edhe për të shfletuar ndonjë roman të mirë. Meqë jam 41 vjeçe, moshë kjo që kërkon edhe aktivitet fizik, mundohem brenda javës ti përkushtohem edhe performancës fizike përmes pilatesit dhe fitnesit në palestrën shumë afër banesës sime Fitness Club Noki. Pas një dite të ngarkuar me teknologji, angazhim dhe stres të akumuluar, relaksimi përmes leximit dhe ushtrimeve fizike gjithsesi është shumë i nevojshëm dhe në rastin tim është treguar shumë i dobishëm.
Një mesazh për rininë tonë?
Ëndërroni, punoni, ndihmoni dhe lexoni. Gjatë ecurisë së karrierës sime kam pasur dështime, zhgënjime, momente kur kam humbur shpresat, por nuk jam dorëzuar kurrë. Rruga drejtë suksesit përmes punës është shumë e vështirë dhe e ngadalshme por në fund të ditës satisfaksioni është shumë i madh. Përkrahja është shumë e rëndësishme, por për të realizuar planet e juaja, ju jeni arkitekti kryesor andaj përveshni duart vet. Mos u dëshpëroni nëse dështoni fillimisht, heqja dorë nga ëndrra juaj është dështimi më i madh. Është e lejuar të keni ëndrra të mëdhaja, por mos i leni ata në gjumë, aktivizoni veten dhe idetë e juaja. Dilni nga zona e rehatisë, jeta do ju sjell shumë gjemba dhe pengesa gjatë rrugës, tejkalimi i të njëjtave do të ju bëj më të fuqishëm dhe stoik. Jini modest dhe respektoni të gjithë, pavarësisht moshës, gjinisë, etnitetit, fesë, gjendjes materiale dhe sociale, orientimit seksual, dallimet vetëm mund të ju stagnojnë gjatë formësimit tuaj. Mos gjykoni dhe mos sjellin përfundime për jetën e askujt. Ofroni ndihmë në kuadër të mundësive të juaja, nëse nuk merrni mirënjohje mos hiqni dorë nga altruizmi dhe vullneti i mirë. Mos lejoni dita të ju mbarojë pa mos lexuar diçka, pa punë dhe pa mos dhënë qoftë edhe një kontribut të vogël për shoqërinë, kjo shoqëri do t’ua shpërblejë herët a vonë. Vetëm të realizuar dhe plotësuar me vetveten do të jeni në gjendje të rrezatoni shumë dashuri dhe energji pozitive./Telegrafi/