Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci, në një intervistë për Telegrafin ka treguar se është ngritur vetëdija e konsumatorëve që të raportojnë në këtë institucion për produktet me cilësi të dyshimtë.
Sipas tij, ka raste kur sekuestrojnë mish me sasi të vogla gjatë importimit ilegal.
“Tashmë është ngritur edhe vetëdija e konsumatorëve që të raportojnë në AUV dhe në agjencitë e tjera. Gjatë importit ilegal nuk ka sasi të mëdha të mishit, kemi raste kur sekuestrojmë sasi deri në 20 kilogramë, kryesisht kjo ndodh në lindje të Kosovës”, tha Gjinovci.
Gjithashtu, ai tha se therja e kafshëve duhet të bëhet në thertore pasi që ato përmbushin kushtet.
“Në Kosovë kemi një numër të madh të thertoreve moderne, pasi që ato i kanë të gjitha mjetet dhe në këtë mënyrë i përmbushin të gjitha kushtet për ta ushtruar një veprimtari të tillë”, thekson Gjinovci.
Sipas tij, konsumimi i produkteve ushqimore në Kosovës është i sigurt.
“Siguria ushqimore është një fushë e ndjeshme dhe në këtë drejtim AUV-ja është e përkushtuar të ofroj produkte të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit. Produktet që hyjnë dhe konsumohen në Kosovë janë të sigurta”, ka thënë Gjinovci. /Telegrafi/