Telegrafi

Produkt i Serbisë – bojkotoje! (Foto)

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! realizuan një aksion simbolik në billbordat e qytetit, ku është reklamuar uji “Rosa” – produkt që vjen nga Serbia.

Ata shkruan në billborda “Produkt i Serbisë – bojkotoje”.

Gjatë aksionit për media u deklarua aktivistja Tinka Kurti, e cila ndër të tjera tha se: “Ne jemi këtu për të bërë thirrje që të bojkotohet ky produkt sikur edhe produktet e tjera me barkodin 860. Duhet pasur parasysh se përdorimi i produkteve nga Serbia e ndihmon më shumë shtetin dhe ekonominë serbe, duke dëmtuar atë tonën”.

Ajo thekson se bëhet fjalë për të njëjtën Serbi që ende nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë, ende nuk i ka kthyer trupat e të pagjeturve, nuk ka dëmshpërblyer për dëmet që ka bërë, si dhe ende mirëmban strukturat ilegale në veri të vendit.

“Na i vret qytetarët tanë në kufi, dhe përpiqet çdo ditë të prishë funksionalizimin e shtetit tonë. Bojkoti duhet të zgjasë deri kur Serbia ta njohë shtetin tonë, t’i pranojë krimet e kryera, t’i paguajë dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara dhe t’i largojë strukturat ilegale e kriminale nga vendi ynë”.

Ky aksion u organizua në vijim të fushatës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për mbështetjen e prodhimeve vendore “Duaje Tënden” dhe bojkotimin e produkteve që vinë nga Serbia.