Telegrafi

Prodhuesit vendor të kënaqur me prezantimin në “Green Week”

Agrobizneset kosovare, të cilat po marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar “International Green Week”, në Berlin, po e shohin si njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme për promovimin e prodhimeve të tyre.

Përfaqësuesit e këtyre agrobizneseve, thonë se gjatë këtij panairi, kanë arritur që krahas promovimit të prodhimeve të tyre bujqësore, të krijojnë edhe kontakte dhe lidhje të reja me kompani të huaja.

Po ashtu, sipas tyre, zgjerimi dhe modernizimi i agrobizneseve kosovare gjatë viteve të fundit, ka ndikuar që prodhimet e tyre të jenë edhe konkurrente me shumë prodhime të huaja, gjë që sipas tyre tashmë është dëshmuar edhe në këtë panair.

Alban Ibrahimi nga Frutomania, thotë se në këtë panair përveç që është e rëndësishme për kompanitë pjesëmarrëse, është mundësi e mirë edhe për vet shtetin që të prezantojë potencialet dhe prodhimet më të mira.

“Panairi ka rëndësi shumë të madhe sepse përpos prezantimit të produkteve të kompanive njëkohës isht edhe prezantimi shtetëror, domethënë prezantimi i përgjithshëm se çka ka Kosova, se çka prodhon Kosova, çka mund të ofrojë Kosova në tregun ndërkombëtar, jo vetëm në tregun gjerman. Edhe pse konsumatorët apo edhe pse njerëzit që vizitojnë stafet tona shumica e tyre janë gjermanë, prapë kjo është e pa rëndësishme pasi që ka vizitorë edhe të vendeve të tjera”, tha Ibrahimi.

Ndërsa Fatmir Krasniqi nga kompania Fungo thotë se pjesëmarrja në këtë panair është një nga iniciativat më të mira për promovimin dhe mbështetjen e sektorit privat.

“Është e një rëndësie të jashtëzakonshme kjo pjesëmarrje në panair “Green Week” apo java e gjelbër. Së pari kisha me falënderuar Ministrinë për këtë eveniment që për herë të parë edhe pse kam marrë pjesë n ë shumë panaire të karakterit botëror edhe në Paris edhe në Gjermani vitin e kaluar në Berlin po ashtu në …. Dhe në Nurberg mund ta them që për herë të parë është i organizuar një panair ashtu siç meriton shteti jonë i Kosovës. Përkrahje të jashtëzakonshme ka dhënë edhe prezenca e ministrit që tri ditë radhazi në këtë panair”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, vlerësoi se agrobizneset pjesëmarrëse në panair, kanë dëshmuar edhe njëherë se prodhimet kosovare tashmë krahas cilësisë po i përmbushin edhe standardet ndërkombëtare.

E përmbushja e këtyre standardeve, sipas Krasniqit, përveç se ka ndikuar që prodhimet vendore të depërtojnë në tregun rajonal e evropian, ka bërë që ato të jenë të pranishme edhe në ngjarjet e tilla, të mëdha si kjo e Berlinit.

“Kemi vendosur që ta risjellim Kosovën në këtë panair me mbështetjen edhe të partnerëve tonë dhe ndërkombëtarë për të shfrytëzuar edhe një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv, nënshkrimi i marrëveshjes Stabilizim Asociimi, e cila i mundëson mbi 2 mijë e 500 produkteve agro-ushqimore të Kosovës që të depërtojnë dhe të shiten në tregjet evropiane pa barrierat e së kaluarës. Andaj ka qenë shumë me rëndësi që në tregun gjerman që është më i madh brenda Bashkimit Evropian të kemi prezencën e produkteve të ndryshme të Kosovës, të cilat në të ardhmen mund të jenë pjesë e tryezave gjermane, e familjeve gjermane, qytetarëve gjermanë”, tha ministri Krasniqi. /Telegrafi/